Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Shpërfillet vendimi për përgjysmim të çmimit të biletave të autobusëve ndërurbanë

Vendimi për përgjysmimin e çmimit të biletave të transportit ndërurban për kategori të caktuara, i shpalosur një ditë më parë, sot nuk është përfillur prej shumicës së kompanive. Derisa pasagjerët janë ankuar, ngasësit e autobusëve dhe Shoqata e Transportit Rrugor, për zbatueshmërinë e këtij vendimi kanë kërkuar fillimisht subvencionim.

Ani se u tha që mund ta paguajnë biletën 50% më lirë, ata edhe sot paguan me çmim të njëjtë.

Ministria e Infrastrukturës të premten vendosi për përgjysmimin e çmimit në transportin ndërurban për fëmijët, studentët, pensionistët, invalidët e luftës dhe invalidët e punës.

Kategoritë e lartpërmendura kanë mirëpritur vendimin, porse kanë treguar se një gjë e tillë po shpërfillet në të shumtën e rasteve. Madje sipas disa studenteve, biletat për disa linja janë shtrenjtuar.

“Për Malishevë ka qenë dy euro për mu, tash sipas informatave është dy euro e gjysmë, kështu që është tepër i lartë. Jemi për zbatimin e këtij plani të qeverisë për përgjysmim të biletave për studentë. Ju konvenon shumë studentëve”, ka thënë studentja Edona Krasniqi.

“Tjerave ditë ka qenë 4 euro, ndërsa sot 5 euro bileta, edhe pse kanë marr vendim që me u zbritë edhe për neve si studentë edhe për kategoritë tjera. Normal duke marrë parasysh edhe gjendjen që e kemi ne si qytetarë të Kosovës duhet që me pas pak një ulje edhe te kategoritë tjera, edhe te ne si studentë”, ka thënë studentja Berna Ajdini.

Edhe Transportuesit ndërurbanë shpërfillin marrëveshjen për çmimet, ministria paralajmëron masa Arbëri Transportuesit ndërurbanë shpërfillin marrëveshjen për çmimet, ministria paralajmëron masa

E udhëtarë të tjerë e kanë arsyetuar moszbatueshmërinë e këtij vendimi.

“Për momentin jo, arsyeja është shumë e thjeshtë se me këtë vendim autobusët nuk i mbulojnë shpenzimet e veta, dhe kështu që nuk po zbatohet. Por në realitet është edhe një dukuri shumë e keqe, taksitë ilegalë Fushë-Kosovë-Prishtinë 1 euro, as tatim as kurrgjë. Ma së pari Qeveria duhet me ndërhy te ta me i ndal, kurse tek autobusët duhet me subvencione me i stimulu për me mbijetu”, ka thënë një qytetar.

“Le të zbritet nafta, zbritet edhe çmimi i autobusit autobusi. Edhe le të zbriten çmimet, na me pension çka me ba me 100 euro pension. A me qarkullu, a me ble, a çka me ba. Si të zbritet nafta edhe kompanitë e zbresin çmimin”, ka thënë Rrustem Karaqica.

Sipas Shoqatës së Transportit Rrugor, për ta respektuar këtë çmimore, ata duhet që fillimisht të subvencionohen nga Qeveria. Për këtë çështje ata kanë paralajmëruar takim të dielën me operatorët e transportit rrugor të udhëtarëve.

Edhe Shfuqizohet vendimi për përgjysmimin e çmimit të biletave për disa kategori Arbëri Shfuqizohet vendimi për përgjysmimin e çmimit të biletave për disa kategori

“Si shoqatë e kundërshtojmë këtë vendim. Ai është marrë krye në vete dhe nuk është bërë në bashkëpunim me kompanitë transportuese. Sikur Qeveria të kishte marrë një vendim për subvencionim, do të ishte më e lehtë edhe të zbatohej. Përndryshe, as operatorët nuk janë për ta zbatuar, sepse kjo i dëmton shumë ata”, ka thënë kryetari i kësaj shoqate, Ruzhdi Kurtishaj.

KOHA ka pyetur Ministrinë e Infrastrukturës nëse është gjobitur ndonjë kompani dhe nëse kanë ndonjë plan për subvencionim, por nuk ka marrë përgjigje deri në momentin e transmetimit të kësaj kronike.