Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Kurtishaj: Çmimet e biletave të autobusit janë jashtëzakonisht të lira, më të lirat në rajon

Kryetari i Shoqatës së Transportit Rrugor të Kosovës, Ruzhdi Kurtishaj, ka folur për vendimin e disa kompanive të transportit rrugor për të shtrenjtuar çmimet e biletave të autobusit për transport.

Sot Shoqata ka dorëzuar padi në Gjykatën Themelore të Prishtinës për të kërkuar shtyrjen aplikimin e vendimit të Qeverisë për të ulur çmimet e biletave për disa kategori, përfshirë studentët e pensionistët.

“Ky vendim në mënyrë arbitrare , pa u konsultuar fare me Shoqatën, thuajse autobusët janë pronë e Ministrisë apo shtetit, është për të ardhur keq. Presim nga gjykata që sa më shpejt të jap vendimin për shtyrje të ekzekutimit të vendimit të Qeverisë”, ka thënë Kurtishaj në “60 Minuta” të KTV-së. “Ne po konsiderojmë se vendimi nuk është i bazuar. Ministria nëse do që të barten me 50 për qind të pagesës studentët, pensionistët apo grupet tjera të shoqërisë e ka të lehtë, të subvencionojë biletat. Rreth 70 për qind e klientëve, siç deklarojnë gjithë operatorët, janë studentë apo pensionistë. Nuk është bërë ngritje 50 për qind apo 70 për qind, siç është bërë ngritja e çmimit të derivateve. Në disa destinacione nuk ka fare rritje”.

Kurtishaj ka shtuar se Ministria nëse do që me i ndihmuar studentët mund t’ua paguajë atyre menzën apo edhe qëndrimin në konvikte.

“Është e njëjtë si t’u thuhet barnatoreve pensionistët do të marrin barnat 50 për qind më lirë. Apo studentëve t’u thuhet se po ua heqim shpenzimet e menzës e akomodimin në konvikt. Sa kam njohuri në të gjitha destinacionet studentët paguajnë më lirë. Nga Prizreni paguajnë 1 euro më lirë nga Peja 1 euro më lirë. Kërkojë mirëkuptim nga qytetarët, pasi ky vendim është apeluar”, ka thënë Kurtishaj. “Çmimet janë jashtëzakonisht të lira, pasi rreth 90 kilometra nga Prishtina në Gjakovë udhëtohet me vetëm 5 euro. Tregoni një vend në rajon që ka çmime kaq të lira. Është shumë lirë, kur e merr parasysh se paguhet 1.50 litri i naftës”, tha Kurtishaj.

Arsyetimin pse disa destinacione është shtrenjtuar bileta e disa jo, ai ka thënë se varet nga numri i udhëtarëve.

Edhe Ulet çmimi i naftës, por jo edhe i biletave të transportit publik Arbëri Ulet çmimi i naftës, por jo edhe i biletave të transportit publik

“Nga Podujeva kemi numër më të madh të udhëtarëve e nga Gjakova më të vogël. Nuk krijohen të hyra për t’u mbijetuar shpenzimeve ditore, për këtë arsye ngrihen çmimet. Nuk ka vendosur Shoqata që të rriten çmimet por kompanitë. Në disa destinacione ka ngritje të lehtë. Mitrovicë nga 1.50 euro në 1.80 e në Ferizaj është 1 euro”, tha Kurtishaj.