Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Shoqëria Civile: Të miratohet ligji që çel kuletat e partive politike

Instituti i Kosovës për Drejtësi ka kërkuar nga Kuvendi të miratojë ligjin “që çel kuletat e partive politike”.

Përmes një komunikate për media KDI në bashkëpunim me disa organizata ka thënë se Kuvendi i Kosovës pritet të shqyrtojë sot, mes tjerash, Projektligjin për Financimin e Subjekteve Politike. Derisa shton se kjo është hera e tretë, përkatësisht legjislatura e tretë me radhë, që ky projektligj kalon nëpër procedurë ligjvënëse në parlament.

KDI-ja thotë se dështimi për shqyrtimin dhe miratimin e këtij ligji tejet të rëndësishëm ka cenuar vazhdimisht transparencën dhe llogaridhënien financiare të subjekteve politike, të cilat marrin çdo vit mbi 4 milionë euro nga buxheti i shtetit, si dhe paraqet regres në zbatimin e Agjendës së Reformave Evropiane (ERA).

“Projektligji i ri për Financim të Subjekteve Politike adreson në masë të madhe shqetësimet lidhur me mungesën e transparencës financiare të subjekteve politike. Duke ditur dështimet dhe vonesat e shumta në përzgjedhjen e auditorëve nga Kuvendi, me anë të këtij projektligji, kompetenca për përzgjedhjen e auditorëve kalohet tek Zyra për Regjistrimin e Partive Politike dhe Certifikim, të cilës i është siguruar një nivel i lartë i pavarësisë funksionale dhe buxhetore”, thuhet tutje në njoftim.

Po ashtu, sipas KDI-së janë definuar kontributet që mund të marrin subjektet politike, si dhe masat sanksionuese në rast të shkeljeve.

“Njëkohësisht, rikujtojmë që ky projektligj është në përputhje me opinionin e Komisionit të Venedikut si dhe kërkesave dhe rekomandimeve të kahmotshme të shoqërisë civile. Ne, organizatat e shoqërisë civile, vlerësojmë që zvarritja e mëtutjeshme e këtij projektligji është e paarsyeshme, si dhe dëmton integritetin e subjekteve politike dhe besueshmërinë e publikut ndaj tyre. Ne mirëkuptojmë qëndrimet e ndryshme që mund të kenë subjektet politike lidhur me projektligjin si tërësi apo pjesë të caktuara të tij, megjithatë, kërkojmë që këto qëndrime të shprehen dhe të përkthehen në kontribut gjatë shqyrtimit të projektligjit në mes të dy leximeve”, thuhet në njoftim.

Edhe KDI: Subjektet politike i raportojnë shabllon pasqyrat financiare Arbëri KDI: Subjektet politike i raportojnë shabllon pasqyrat financiare

KDI ka bërë thirrje deputetëve të Kuvendit të Kosovës, si të pozitës ashtu edhe të opozitës, që të votojnë për miratimin e këtij projektligji në parim pa vonesa të mëtutjeshme.

“Ne do të vazhdojmë ofrimin e ekspertizës tonë përmes rekomandimeve konkrete në funksion të avancimit të projektligjit gjatë diskutimeve në periudhën mes dy leximeve. Gjithashtu, ne do të monitorojmë nga afër punën e trupave të Kuvendit që do të jenë të përfshira në shqyrtimin e këtij projektligji”, thuhet në njoftim.