Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Shoqata Ekonomike e Bavarisë, e interesuar të bashkëpunojë me OEGJK-në për të investuar në Kosovë

Presidenti i Odës Ekonomike Gjermane të Kosovës, Fadil Hoxha, bashkë me Drejtoreshën menaxhuese Nora Hasani Llapashtica kanë zhvilluar një takim me Alfred Gaffal, presidentin e vbw, Shoqatës së Ekonomisë së Bavarisë, nën ombrellën e së cilës janë 133 shoqata të ndryshme ekonomike të Bayernit, në firmat anëtare të së cilave shoqata punojnë gjithsej 4.7 milionë punëtorë.

OEGJK e cilëson takimin me Gaffalin si një ngjarje shumë të rëndësishme dhe një mundësi të mirë për t’i informuar bizneset bavareze për potencialin që ka Kosova.    

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Përfaqësuesit e OEGJK-së informuan Gaffalin lidhur me marrëdhëniet ekonomike gjermano-kosovare, kushtet për të investuar dhe bërë biznes në Kosovë, MSA-në, reformat fiskale, por edhe për Ligjin për Investime Strategjike dhe potencialin e madh e të pashfrytëzuar që paraqet rinia kosovare.   

Gaffal, sipas delegacionit të Kosovës, shprehu gatishmërinë e vbw-së për të bashkëpunuar me OEGJK-në dhe për t’i informuar firmat anëtare të Shoqatës së Ekonomisë së Bavarisë rreth mundësive për të investuar në Kosovë, dhe potencialin e pashfrytëzuar - rininë kosovare.  

Presidenti i OEGJK-së, Fadil Hoxha e ftoi Gaffalin, që bashkë me një delegacion të anëtarëve të vbw-së ta vizitojë Kosovën.

Hoxha tha se Kosova lufton për ta përmirësuar imazhin e keq që ka në Evropë dhe të promovohet si vend strategjik, për investitorët gjermanë. 

“Me përkrahjen e vbw-së, përmes informimit të drejtë të firmave bavareze rreth kushteve dhe potencialit që ka Kosova, do të mund të rritej interesimi për ta parë Kosovën si mundësi për të zhvendosur apo për ta zgjeruar prodhimin në Kosovë”, theksoi Hoxha.  

Gjatë takimit u diskutua për rëndësinë e madhe të aftësimit profesional dhe për mungesën e një sistemi dual të arsimit në Kosovë, siç e ka Gjermania.               

Pjesë e delegacionit të OEGJK-së ishin përfaqësuesit e firmave anëtare nga Bayern: Sebajdin Allaci nga ABIDAT GmbH - Nürnberg, si dhe Ibrahim dhe Naim Dula nga Dula Dienstleistungen - Puchheim.

“Më bën të ndihem shumë krenar, kur shoh nga afër se sa të suksesshme janë firmat e bashkatdhetarëve tanë në Gjermani. Ka qenë kënaqësi që firmat Dula Dienstleistungen dhe Abidatin t'i kemi pjesë të delegacionit tonë me takimin me z. Gaffal”, theksoi Fadil Hoxha. 

Në kuadër të vizitës në Bayern, Fadil Hoxha dhe Nora Hasani Llapashtica vizituan firmën WOLF, që është lider evropian për sisteme të ngrohjes qendrore dhe të kondicionimit të ajrit. Ata vizituan fabrikën në Mainburg, ku prodhohen sistemet për kondicionim të ajrit, kaldajat dhe panelet solare. Përfaqësuesit e OEGJK-së vizituan edhe firmën Gittfried në Karlsfeld.