Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka pritur në takim raportuesin për Kosovën në Parlamentin Evropian, Igor Sholtes, me të cilin ka biseduar rreth pozicionit të Kosovës karshi përmbushjes së agjendës evropiane.
Kryeministri Haradinaj e informoi raportuesin Sholtes për të arriturat dhe progresin që ka shënuar Kosova, zbatimin e reformave në legjislacion, si dhe për dinamikën e përshpejtuar të reformave në fushën e sundimit të ligjit, zhvillimit ekonomik dhe në fushat e tjera me rëndësi për vendin dhe për procesin e liberalizimit të vizave.
“Institucionet e Kosovës janë në linjë me detyrat e veta se çka duhet bërë sa i përket rrugës tonë drejt integrimeve euroatlantike. Ne kemi treguar përkushtim të plotë për vlerat evropiane”, tha Haradinaj dhe shtoi se tani me të drejtë qytetarët e Kosovës presin vendimin pozitiv për lëvizje të lirë në Zonën Shengen.
Më tej, kryeministri tha se Qeveria e Kosovës e ka bërë punën e saj sa i përket përmbushjes së kritereve për liberalizim të vizave dhe se është duke punuar për zhvillim ekonomik, hapjen e vendeve të reja të punës dhe krijimin e perspektives për të rinjtë.
“Rruga evropiane e Kosovës është e paalternativë”, tha kreu i ekzekutivit.
Edhe
Sholtes: BE të mbajë premtimin për vizat, taksa komplikon situatën
Ndërkaq, raportuesi për Kosovën në Parlamentin Evropian, Igor Sholtes, vlerësoi progresin e arritur në Kosovë, duke inkurajuar institucionet e vendit që të vazhdojnë përkushtimin e tyre në përmbushjen e reformave që dalin nga Agjenda Evropiane.
Sholtesin në takim e priti edhe Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, të cilin e ka falënderuar për përkrahjen e deritashme.
“Jemi mirënjohës për përkrahjen e deritashme. Po punojmë që të prodhojmë sa më shumë argumente pozitive edhe për përkrahësit e Kosovës. Jemi duke punuar që të ndërtojmë konsensus politik për dialogun me Serbinë. Mos harroni që është krijuar një perceptim që i gjithë rajoni po ndihmohet, përpos Kosovës”, ka thënë Thaçi.
Ndërsa, raportuesi i BE-së për Kosovën, Igor Sholtes, ka thënë se është në Kosovë për të mbledhur sa më shumë të dhëna, që të raportojë në Parlamentin Evropian.
Edhe
Haradinaj: Holanda mbështetëse e Kosovës në rrugën euroatlantike

“Për këtë jemi në Kosovë, që të mbledhim sa më shumë të dhëna nga udhëheqësit e institucioneve e Kosovës në mënyrë që të raportojmë në Parlamentin Evropian”, u shpreh ai.
Presidenti Thaçi theksoi se në Samitin e Sofjes është bërë e qartë që shtetet e Ballkanit Perëndimor duhet të ndërtojnë marrëdhënie evropiane ndërfqinjësore nëse dëshirojnë të bëhen pjesë e Bashkimit Evropian.