Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Shkrimi i Bahri Fazliut për Nëntorin në vitin ‘95

Në prag të festës së 28 Nëntorit, familjarët e dëshmorit Bahri Fazliu, kanë zbardhur për media një artikull të cilin ai e kishte shkruar në vitin 1995 në gazetën “Çlirimi”.

Bahri Fazliu dhe Agron Rrahmani, ranë heroikisht në pjesën e tre kufirit Kosovë-Shqipëri-Mali i Zi, në vitin 1998.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Artikullin e ka shpërndarë Kosovapress, e të plotë mund ta lexoni më poshtë:

T’ia kthejmë nëntorit Nëntorin

Sa herë vjen nëntori një kënaqësi e lehtë përshkon zemrat e njerëzve. Koka ngrihet lartë, sepse përmbajtja në kujtesë është e madhërishme. Askush s’mund të qëndrojë indiferent para historisë. Sa herë vjen nëntori në njerëz rektinë shpresa.

Nëntori është aq i madh sa t’i çojë peshë shpirtrat e vdekur. Sa herë vjen nëntori hapen faqet e librit të të madhit popull. Sa kohë që ky libër i përket historisë nëntorët janë lavdia, në çastin kur fillon aktualiteti, nëntorët janë mjerimi.

Në bilancin e bërë turpi i së sotmes mbulohet me lavdinë e së djeshmes. Në nëntorët 1443, 1912, 1944, 1989 yjet i gjeje në tokë. Nata e shekujve vdiste para shkreptimës së një muaji.

Nëntori është populli. Populli i lindi Nëntorët për popullin. Kur nocioni popull u nëpërkëmbë, Nëntori mbeti vetëm në histori. Ta zësh sot në gojë Nëntorin do të thotë ta bësh më të dukshëm mjerimin tënd.

Madhështia e heronjve verbon mjerimin e sotëm. Xhuxhmaxhuxhët shkrihen para heronjve. S’mund të maten ndërtuesit e lirisë me rrënuesit e kombit, të rënët për liri me banorët e robërisë, të pagjumët e çdo stine me arinjtë dimëror.

Në nëntorët e kujtesës qielli, toka, varret s’kishin natë, në nëntorët e aktualitetit vetëm varret kanë dritë. Sa herë vjen nëntori pyetet: pse s’erdhi NËNTORI? Nëntorin e vrau nëntori.

Nëntori s’mund të vritej ndryshe veçse me madhështinë e një nëntori të gënjeshtërt. Që të gdhihemi në Nëntor duhet që të sotmen ta bëjmë të shndritshme sa kujtesën, të djeshmen ta bëjmë udhëzuese të së sotmes.

T’i kthejmë vitet në Nëntor, të brohorasë çdo gjë N-ë-n-t-o-r! - kjo kërkohet për çdo nëntor. Nëntorin s’bën ta lëmë pa NËNTOR.