Shkolla "Ilir Konushefci" në fshatin Lluga të Podujevës është përfshirë nga zjarri mëngjesin e sotëm. Përveç dëmeve materiale, nuk ka asnjë të lënduar.
Zjarrfikësit kanë arritur të shuajnë zjarrin, ndërkohë që tash për tash nuk dihen shkaqet e këtij zjarri.
Drejtori për Arsim, Avni Fetahu, thotë se mësimi në këtë shkollë do të zhvillohet online derisa të sanohen dëmet e shkaktuara.
"Fatmirësisht dëme në njerëz nuk ka. Zjarri është ndal nga intervenimi i zjarrfikësve, dy klasë dhe 3 banjo janë dëmtuar dhe një pjesë e pullazit të shkollës. Mësimi në atë shkollë vazhdon online derisa të bëhet sanimi i gjendjes", ka thënë Fetahu.
Ministri në detyrë i Arsimit, Ramë Likaj, ka reaguar pas dëmtimit nga zjarri të shkollës fillore të mesme të ulët “Ilir Konushefci” në fshatin Llugë të Podujevës.
Ai ka njoftuar se përveç dëmeve në infrastrukturën e objektit, nuk ka të lënduar nga ky rast.
“Në mënyrë që nxënësit të mos humbin asnjë orë mësimore do të ofrohet mësim online. Ministria e Arsimit dhe Shkencës do të bashkëpunojë ngushtë me Komunën e Podujevës që të intervenohet sa më shpejt në pjesën e objektit të dëmtuar nga zjarri dhe nxënësit të kthehen në shkollë për ta vazhduar procesin e rregullt mësimor”, thuhet në njoftim.