Cak i hajnave është kthyer shkolla në fshatin Carralevë të Komunës së Shtimes. Brenda një periudhe njëvjeçare u vodhën mbi 10 laptopë, e si rrjedhojë nxënësit kanë mbetur pa e shfrytëzuar kabinetin e teknologjisë. Banorët thonë se asnjë pajisje elektronike nuk arrin të mbijetojë në shkollë më shumë se një muaj. Këtë shqetësim e shprehën edhe në Drejtori të Arsimit në Komunën e Shtimes
Pa kabinet të teknologjisë ka mbetur shkolla fillore “Abdullah Shabani” në fshatin Carralevë të Shtimes. Kjo pasi ky institucion arsimor është bërë cak i hajnave.
Në javën e kaluar u vodhën tre laptopë, e para 11 muajve u vodhën edhe tetë të tjerë.
Kryetari i banorëve të fshatit, Shpresim Bilalli, ka thënë se asnjë pajisje elektronike nuk arrin të mbijetojë në shkollë më shumë se një muaj.
“Kjo po shkon në dëm të tyre se edhe ato gjithëherë vijnë si donacione dhe vidhen e këto janë në dëme të nxënësve, pasi nuk mundesh ta marrësh një kabinet të shkencave kompjuterike për të mësuar nxënësit tan pasi nuk shkon muaji është i gjatë, vidhen ato. Edhe mjetet për pastrim që janë, edhe ato vidhen, mos të flasim për laptopë”, ka thënë Bilalli, djali i të cilit vijon mësimet në shkollën e fshatit.
Bilalli ka thënë se problemi me plaçkitje nuk është i përhapur në objekte të banimit.
“Vetëm në shkollë ka vjedhje të shpeshta, ne nëpër shtëpi nuk kemi probleme. Nuk mbaj mend të jetë raportuar vjedhje në ndonjë shtëpi”, ka thënë ai.
Në Drejtori të Arsimit kanë thënë se rastet janë raportuar në Polici. Sipas zyrtarëve, organet e rendit nuk kanë arritur të kthejnë asnjë nga pajisjet e vjedhura, e as nuk janë të informuar për arrestime.
Drejtoresha e Arsimit, Yllka Fejzullahu, ka thënë se kjo është duke e penguar procesin mësimor.
“Ne si drejtori e arsimit normal që obligohemi që të gjejmë forma t’i rikthejmë ato dhe ta bëjmë një blerje të serishme të pajisjeve me qëllim që të mos i lëmë as mësimdhënësit as nxënësit të kenë pengesa gjatë procesit mësimor në mungesë të këtyre mjeteve, pra ka mjete teknike të vjedhura edhe më herët që nuk janë kthyer”, ka thënë ajo.
Në Policinë e rajonit të Ferizajt nuk kanë kthyer përgjigje të martën në lidhje me hetimet për vjedhjet në këtë shkollë.
Ndërkohë, në Drejtori të Arsimit kanë vlerësuar se vjedhjet në institucionet arsimore në këtë komunë janë kthyer në shqetësim. Për të parandaluar këtë, në drejtori thanë se në shkolla kanë instaluar kamera vëzhguese.
“Ne e kemi bërë instalimin e sistemit të kamerave dhe arsyeja që e kemi bërë këtë është pikërisht për rastet që kanë ndodhur, është një lloj preventive apo parandalim për t’i ndaluar vjedhjet, edhe natyrisht që pamjet e kamerave i kemi dhe besoj që do ta ndihmojnë shumë policinë për hetimin e rastit”, ka thënë drejtoresha Fejzullahu.
Para një muaji është raportuar se hajnat kishin vjedhur shkollën në Gjirkovc, e para pesë muajve KOHA pati raportuar se u vodhën pesë laptopë në një shkollë të mesme profesionale.