Numri i nxënësve nëpër shkollat e Komunës së Podujevës është duke u zvogëluar vazhdimisht. Nga 18 mijë sa ishin në 2017, sot janë 16 mijë e 600 nxënës që i ndjekin mësimet në këtë komunë. Për shkak të zvogëlimit të numrit të nxënësve, më herët janë mbyllur edhe disa paralele të shkollave amë. Përfaqësues të shkollave dhe zyrtarët komunalë thonë se arsye kryesore të kësaj rënieje të numrit të nxënësve janë shpërnguljet e familjeve në Prishtinë, por edhe jashtë Kosovës.
Është shkollë nëntëvjeçare, por ka vetëm nëntë nxënës.
Shkolla “Sami Frashëri” në fshatin Zhiti të Podujevës, po ballafaqohet me rënie të vazhdueshme të fëmijëve që i ndjekin mësimet këtu.
Megjithëse dikur numëronte 250 nxënës, ajo tash rrezikon të mbyllet. Ushtruesi i detyrës së drejorit të kësaj shkolle, Bekim Ismaili, thotë se shpërnguljet brenda Kosovës dhe jashtë saj, po ndikojnë në rënien e numrit të nxënësve.
“Prej luftës e këndej ka filluar rënie graduale e numrit të nxënësve, që ka pasur për pasojë mbylljen e paraleleve të ndara fizike, siç janë në Murgull, Tërnavicë dhe Sylevicë. Para 5 vjetësh kur kam filluar ta ushtroj detyrën e drejtorit, gjithsej i kemi pas 52 nxënës, tani në vitin që jemi aktual, shkolla numëron gjithsej vetëm 9 nxënës”, ka thënë Ismaili, ushtrues i detyrës së drejtorit të shkollës në Zhiti.
Rënie të numrit të nxënësve ka edhe në shkollën “Shefki Latifi” në fshatin Pollatë. Për shkak të numrit të vogël të nxënësve, nga viti 2015 është mbyllur paralelja e saj e ndarë në fshatin Sllatinë.
“Në vitin 2019-2020 kemi një rënie nga viti 2014-2015 që kanë qenë 150 nxënës, kemi 86 nxënës. Në vitin 2020-2021, do të thotë në vitin e kaluar i kemi pas gjithsej 78 nxënës. E këtë vit e kemi filluar me 70 nxënës”, ka deklaruar Sabri Dema, u.d. i drejtorit të shkollës në Pollatë.
Dema thotë se përveç shpërngules së familjeve, edhe rënia e natalitetit po ndikon në zvogëlimin e numrit të nxënësve nëpër shkolla.
Se ka rënie të numrit të nxënësve në Podujevë e thonë edhe në Drejtorinë për Arsim në këtë komunë. Drejtori Avni Fetahu, thotë se nga 18 mijë nxënës që kanë qenë në vitin 2017, sivjet në Podujevë janë 16 mijë e 616 nxënës. Sipas tij, ka shkolla që i kanë vetëm nga 2-3 nxënës.
“Mirëpo, jemi në përpjekje që t’i furnizojmë me kabinete dhe materiale të nevojshme që të jenë atraktive shkollat si në fshat ashtu edhe në qytet dhe të mos ketë shpërngulje të nxënësve, qoftë brenda vendit, pra brenda rajonit qysh është Podujeva, por edhe jashtë komunës sonë”, ka thënë ai.
Drejtori Fetahu ka theksuar se përveç shpërnguljeve të familjeve në Prishtinë e Fushë-Kosovë, edhe mungesa e drejtimeve adekuate për nxënës ka ndikuar në rënien e këtij numri. Ai ka thënë se sivjet i kanë hapur dy paralele të Mjekësisë në kuadër të Shkollës Ekonomike dhe se janë në përpjekje të hapjes edhe të drejtimeve të tjera që janë atraktive për nxënës.