Arbëri

Mbi 800 nxënës më pak sesa vjet u regjistruan sivjet në shkolla të Podujevës

Autoritetet komunale kanë konfirmuar se krahasuar me vitin e shkuar, sivjet janë mbi 800 nxënës më pak të regjistruar nëpër shkollat e Komunës. E drejtues të shkollave, si dhe zyrtarët komunalë kanë theksuar se krahas shkallës në rënie të natalitetit, arsye tjetër për rënien e numrit të nxënësve është edhe migrimi

Mbi 800 nxënës më pak sesa në vitin e shkuar janë të regjistruar sivjet nëpër shkollat e Komunës së Podujevës, kanë konfirmuar zyrtarë të kësaj komune.

Zëdhënësi i Komunës, Fatri Zhitia, ka bërë të ditur se vetëm që nga shtatori i shkuar e deri më tash janë 250 nxënës më pak nëpër shkollat e Podujevës. E si një prej arsyeve për trendin e rënies së numrit të nxënësve ai ka numëruar migrimin.

“Në vitin aktual në të cilin gjendemi janë 15 mijë e 139 nxënës. Vitin e kaluar kanë qenë 16 mijë e 37 nxënës, ndërsa para dy vjetësh kanë qenë 16 mijë e 873 nxënës. Domethënë është një shifër paksa edhe shqetësuese, për shkak se numri i nxënësve vazhdimisht po bie. Megjithatë, edhe ne si komunë, si shumica e komunave të Kosovës, jemi duke u ballafaquar me trendin e migrimeve të jashtme, por edhe të migrimeve të brendshme”.

Një fluks i këtillë i rënies së numrit të nxënësve ka mbizotëruar gjatë tre vjetëve të fundit.

Vetëm në dy shkolla fillore të fshatrave Zhiti dhe Popovë të kësaj komune ka dy vjet që nuk është regjistruar asnjë nxënës për klasë të parë.

Ani se rënia e numrit të nxënësve është më e theksuar nëpër fshatra, dukuria ka prekur edhe shkollat në qytetin e Podujevës.

“Në shkollën tonë, nëse e marrim parasysh prejse jam drejtor unë në shkollë, është një rënie, po jo një rënie shumë e madhe e nxënësve. Në vitin e kaluar i kemi pasur gjithsej 337 nxënës, duke i përfshirë edhe parafillorët, ndërsa në këtë vit shkollor i kemi 326. Do të thotë për 11 nxënës jemi më pak sesa në vitin e kaluar”, ka thënë Muhamet Jakupi, drejtor i shkollës “Dëshmorët e kombit” në Podujevë.

Ai ka sqaruar se në këtë shkollë fillimisht kanë qenë 20 nxënës më pak se vitin e shkuar, porse në ndërkohë numri është rritur me ardhjen e 8 nxënësve nga fshati Herticë.

Me gjithë rënien e numrit të nxënësve, zëdhënësi i Komunës së Podujevës, Zhitia, ka bërë të ditur se deri më tani asnjë mësimdhënës nuk e ka humbur vendin e punës.

Ai ka thënë se për ta shmangur një mundësi të tillë, nga Qeveria qendrore është ndarë buxhet për komunat dhe se është bërë planifikimi që prej atyre shkollave që nuk kanë numër të mjaftueshëm nxënësish, mësimdhënësit të angazhohen nëpër institucione të tjera arsimore.