Nxënësit e rreth 32 lagjeve e fshatrave të Komunës së Podujevës kanë mbetur pa transport, pasi autoritetet lokale nuk kanë arritur të kontraktojnë ndonjë operator ekonomik për bartjen e tyre në shkollë. Zyrtarët komunalë thonë se për shkak të ankesave, lënda ka përfunduar në Gjykatë. Nëse nuk bëhet ndonjë zgjidhje e shpejtë, prindërit thonë se do të detyrohen t’i lënë fëmijët në shtëpi.
570 nxënës të 32 lagjeve e fshatrave të Komunës së Podujevës kanë mbetur pa transport, pasi autoritetet lokale nuk kanë arritur të kontraktojnë ndonjë operator ekonomik për bartjen e tyre në shkollë.
Prindërit ankohen se me këtë problem ballafaqohen tash e 17 vjet dhe se vetëm dy herë përgjatë kësaj periudhe kohore bartja e nxënësve ka filluar nga shtatori.
Për shkak të kushteve të rënda ekonomike, ata thonë se bartja e fëmijëve me makina private është barrë e rëndë për ta.
“Jam prind i dy nxënësve. Prej këtu në shkollën ‘Zahir Pajaziti’ deri te fshati Kushevicë i ka 6.6 kilometra. Ka edhe më larg, nga fshati Nishefc. Ata i kanë 9 km vetëm një drejtim. Po hasim në vështirësi se transport nuk ka. Me këtë problem ballafaqohemi qe 17 vjet me radhë. Vetëm dy herë ka ndodhur që të fillojë në shtator, gjithmonë me vonesë, në tetor, nëntor, ka ndodhur edhe në dhjetor. Gjithmonë ballafaqohemi me të njëjtin problem. Kushtet nuk i kemi, kështu që duhet nga 5-6 nxënës në një makinë, udha është mjaft e dëmtuar, kushtet janë shumë të vështira”, ka thënë kryetari i Këshillit të Prindërve në Shkollën e Orllanit, Ilaz Haliti.
“Prej se ka filluar mësimi pas grevës jemi duke i bartur (fëmijët v.j.) çdo ditë edhe largësia është afër 5 km. Edhe i kam katër fëmijë, kushtet nuk i kam për t’i bartur, por po duhet diqysh, vështirë mjaft, çantat e rënda. E lus Komunën apo kush e ka mbi sipër të na bëjë transportin se jemi duke hequr keq”, ka thënë Nazmi Mehmeti, prind nga fshati Turuçicë.
Në Komunën e Podujevës thonë se çmimet e larta dhe ankesat e operatorëve ekonomikë kanë vonuar lidhjen e kontratës për bartjen e nxënësve nga shtëpia në shkollë dhe anasjelltas.
“Operatorët ekonomikë, të cilët kanë konkurruar për ta fituar këtë kontratë, disa prej tyre janë ankuar në Organin Shqyrtues të Prokurimit dhe Organi Shqyrtues i Prokurimit ka dhënë verdiktin se komuna ka të drejtë për dhënie të kontratës ndaj operatorit të caktuar ekonomik. Përkundër kësaj, operatorët ekonomikë ankues në këtë kontratë iu kanë drejtuar Gjykatës dhe ne duhet të presim verdiktin final të Gjykatës dhe pastaj edhe të lidhet kontrata me operatorin i cili e ka fituar këtë kontratë”, ka thënë Fatmir Zhitia, zëdhënës i Komunës së Podujevës.
Zëdhënësi Zhitia thekson se ligjërisht janë të obliguar të presin 30 ditë vendimin e Gjykatës së Tenderëve, nëse e njëjta nuk vendos më herët. Dhe ata pastaj mund të vazhdojnë nënshkrimin e kontratës, në rast se OSHP-ja nuk vendos ndryshe.
Prindërit thonë se nëse nuk bëhet ndonjë zgjidhje e shpejtë, për shkak të kushteve të rënda ekonomike do të detyrohen t’i lënë fëmijët në shtëpi.