Arbëri

Shkolla e të verbërve në Pejë shënoi 37-vjetorin e hapjes

Shkolla e të verbërve dhe me dëmtime në të parë, tash Qendër Burimore për Mësim dhe Këshillim “Xheladin Deda” në Pejë, të premten në teatrin e qytetit ka festuar 37-vjetorin e hapjes së shkollës me një program muzikor, dramatizime dhe me një ekspozitë nga nxënësit e kësaj shkolle në bashkëpunim me nxënësit e shkollave të rregullta, si shkolla e artit “Odhise Paskali”, Shkolla e Muzikës “Halit Kasapolli” dhe të dy shkollave fillore “Tetë Marsi” dhe “Xhemajl Kada”, shkruan sot “Koha Ditore”.

Pas programit të mbajtur në skenën e tetarit para prindërve, mësimdhënëseve dhe mysafirëve të tjerë, përfshirë edhe ata nga instituti “Ramazan Kabashi” nga Tirana, grupi i nxënësve të kësaj shkolle me projektin “të aftë të arrijmë” prezantoi me mesazhe kundër ngacmimeve të personave me nevoja të veçanta në shkolla të rregullta një pjesë të projektit që mbështetet nga UNICEF-i përmes PEN/Inovation Lab Kosova.

Qendra Burimore për Mësim dhe Këshillim “Xheladin Deda” në Pejë, si institucion i vetëm në Kosovë për shkollimin e të verbërve dhe me të parë të dëmtuar, si dhe me konvikt për këta nxënës, ofron shërbime të shumta jo vetëm komunitetit të verbërve, nga mosha e foshnjërisë, mosha shkollore dhe për të verbrit e rritur, por edhe si mbështetje për mbi 120 shkolla gjithëpërfshirëse në Kosovë.

Kremtimi sivjet i ditës së shkollës ka qenë edhe më e hareshme nga stafi dhe nxënësit, pasi siç tregoi Enver Ulaj, koordinatori i kësaj shkolle për projekte për marrëdhënie me publikun dhe donatorë të jashtëm, ata nuk rrezikojnë të mbeten pa objektin e tyre shkollor.

(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “Koha Ditore”)