Përparim Kryeziu nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike ka thënë se diskutimi për shkëmbim territoresh në dialogun me Serbinë e cenon shtetësinë e Kosovës.
Sipas tij, nuk mund të ketë korrigjim të kufijve, por vetëm shkëmbim.
“Ne konkludojmë që diskutimi për shkëmbim territoresh e cenon apo minon shtetësinë e Kosovës. Diskursi me të cilin përshkruhet kjo është korrigjimi dhe shkëmbimi. Këtu s’ka korrigjim, por ka shkëmbim. Këtu ka të bëjë me shkëmbim të dy territoreve që s’janë renditur njësoj nga autoriteti i tyre, ku Serbia është shtet i njohur ndërkombëtarisht, teksa Kosova është rast i kontestueshëm akoma”, ka thënë ai në Express Intervistën në KTV.
Kryeziu ka thënë se Kosova është krijuar si rast sui generis dhe ashtu edhe duhet të mbetet e të mos rrezikojë tiparet që e kanë bërë si shtet.
Sipas tij, nëse Kosova largohet nga tiparet që e kanë bërë rast të veçantë në botë, gjithçka kthehet në zero.
Kryeziu ka kujtuar edhe marrëveshjen e 2013-s për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe për të cilën ka thënë se e rirregullon rendin kushtetues. Këtu ka kujtuar se është thënë vazhdimisht që dialogu është teknik, por pikërisht kjo marrëveshje dëshmoi se dialogu ishte politik. Sipas tij, nëse Asociacioni merr kompetenca ekzekutive do të defunksionalizohet shteti i Kosovës.