Vërshimet i kanë bërë të pabanueshme disa shtëpi në fshatin Fortesë të Rahovecit. Disa nga banorët që pësuan dëme në shtëpitë e tyre u desh të kalonin natën tek fqinjët për shkak se shiu ua bëri të pabanueshme shtëpitë. Përveç tyre, dëm të madh pësuan edhe kulturat bujqësore, sidomos të mbjellat me speca. Ministri Faton Peci ka premtuar mbështetje për bujqit e dëmtuar.
Kulturat bujqësore në Krushë të Madhe kanë pësuar përmbytje nga vërshimet e shiut që ra të premten.
Speca të mbjellë me hektarë mbetën në ara pa pasur mundësi që të vilen.
Fat të njëjtë patën të mbjellat edhe në fshatra të tjera.
Por, edhe ato produkte që u volën e u bënë gati për shitje, sërish nuk u shpëtuan përmbytjeve .
“Qysh i kemi nuk specat, ka hy uji nëpërmjet murit, i kemi larë për t’i bërë për treg kinse me mbijetu, po ky përroi, falë Zotit pa viktima se për dëme na ka shkaktuar sa të thuash”, ka thënë Gëzim Gashi, banor i Fortesës.
Në fshatin Fortesë, i njohur ndryshe si Bellacerka, shiu ka bërë dëmet më të mëdha në Komunë të Rahovecit.
Rrugët u vërshuan e shtëpitë u përmbytën, pasi të 4 lumenjtë që kalojnë andej pari dolën nga shtretërit.
E pabanueshme u bë tërësisht shtëpia e Hysen Popajt, i cili natën u desh ta kalonte tek fqinjët.
“Krejt në përgjithësi e ka prishë shtëpinë brenda, në amvisëri frigorifera, krejt janë djegë prej rrymës e ujit. Balta i ka shkatërruar krejt. Kemi flejt kështu nëpër komshinj kah kemi mundur”, ka thënë Hysen Popaj, banor i Fortesës.
Pak metra larg tij jetojnë Agim e Mirela Popaj, për të cilët nuk ka më jetë në konakun që ua shkatërroi uji.
“E gjashta herë është, siç po e shikoni edhe vetë të gjitha gjërat janë të shkatërruara, me dru, brenda çfarë ka shtëpia, të gjitha, deri librat e fëmijëve që i kam blerë m’i ka zënë uji brenda”, ka thënë Mirela Popaj, banore e Fortesës.
Ekipet komunale të vlerësimit të dëmeve tek të hënën do të dalin në terren.
Kryetari i Komunës, Smajl Latifi, derisa i kërkoi ndihmë Qeverisë, tha se raportet për dëmet e shkaktuara më së largu do t’i bëjnë gati deri të premten.
“Kërkojmë një pako emergjente nga Qeveria e Kosovës sapo t’i kemi raportet e gatshme të regjistrimit apo evidentimit të dëmeve në amvisëri, në bujqësi, ekonomi familjare e në infrastrukturë publike”, ka thënë ai.
Të dielën ministri i Bujqësisë, Faton Peci, premtoi se fermerët që u dëmtuan nga vërshimet do të kompensohen.
“Si Ministri, edhe këtë vit do të realizojmë kompensimin e dëmeve në bujqësi. Këto dëme do të kompensohen pas vlerësimit të raporteve që do t’i sjellin drejtoritë komunale për bujqësi. Muaji nëntor do të jetë muaji ku edhe do të fillojë ekzekutimi i pagesave për dëmet në bujqësi për vitin 2022”, ka thënë ministri i Bujqësisë, Faton Peci.
Nga reshjet e mëdha të së premtes dëme janë regjistruar më së shumti në Komunën e Rahovecit dhe atë të Gjakovës.