Situata e pandemisë prej më shumë se dy muajsh e ka ndërprerë edhe procesin e legalizimeve të objekteve pa leje në Komunën e Ferizajt.
Autoritetet komunale po kërkojnë që ky proces të pezullohet krejtësisht këtë vit, sepse nuk mund të legalizohen rreth 40 mijë objekte që janë pa leje.
Lulzim Aliu, drejtor i Urbanizmit në Ferizaj, thotë se rreth 90 për qind e ndërtimeve janë të palegalizuara, por shton se shkaku i situatës së pandemisë niveli qendror duhet ta shtyjë afatin për legalizime, raporton KOHA.
Edhe shoqëria civile që ka monitoruar këtë proces thekson se vështirë se kjo mund të përfundojë në këto kushte.
Anëtarë të Kuvendit Komunal në Ferizaj kanë propozuar që të krijohet një platformë online në mënyrë që procesi i legalizimeve të mos ndërpritet.
Drejtoria e Urbanizimit në Ferizaj ka paralajmëruar se të gjitha objektet, të cilat gjatë këtij viti nuk i nënshtrohen procesit të legalizimeve, atëherë futen në listën e rrënimeve, ndërkaq lëndët të cilat kanë probleme pronësore futën në listën e pritjeve.