Arbëri

Ndërtimet pa leje, prokuroria inicion kallëzim penal ndaj një zyrtari të Komunës së Ferizajt

Foto: Driton Paçarada / KD

Prokuroria Themelore në Ferizaj ka iniciuar kallëzim penal ndaj një zyrtari të Komunës, i cili nuk e kishte zbatuar një vendim për rrënimin e një objekti në vitin 2017.

Prokuroria në bashkëpunim me Departamentin e Krimeve Ekonomike ka kohë që po i hetojnë dyshimet se shumë objekte banesore në këtë qytet janë ndërtuar pa kritere dhe pa leje ndërtimore.

Vazhdimin e hetimeve për këtë çështje e ka konfirmuar edhe kryeprokurori në Ferizaj, Shukri Jashari.

Por, drejtori për Urbanizëm në Komunën e Ferizajt, Lulzim Aliu, ka thënë se ka pasur ndërtime të tilla pasi komuna nuk ka pasur inspektorë të mjaftueshëm.

“Inspektori si inspektor nuk e ka përgjegjësinë e vet finale, sepse edhe ai është varur prej dikujt, sepse edhe ai e ka pasur një epror, i cili e ka lejuar ose nuk i ka bërë presion në qoftë se është lajmëruar një mbindërtim pa leje. Por, unë kujtoj duke e lexuar ligjin që i obligon inspektorët për ndërtime dhe duke e lexuar ligjin se si të trajtohet një ndërtim pa leje ose me tejkalim të lejes, unë kujtoj që inspektori nuk mund të dënohet”, ka thënë Aliu.

Kenan Gashi, drejtor në rrjetin e OJQ-ve “Avonet”, ka thënë se duhet të hetohen edhe disa objekte të tjera të cilat nuk i plotësojnë kriteret sipas Planit Zhvillimor Komunal.

“Njëra prej shqetësimeve tona vazhdimisht ka qenë që i kem thirrur dhe i kemi bërë ftesë publike Prokurorisë që sa më parë t’i fillojë hetimet, po ashtu kemi iniciuar dhe kemi ngritur disa prej shqetësimeve tona që ka të bëjë me disa prej ndërtimeve që ne konsiderojmë se nuk i kanë plotësuar kriteret e Planit Zhvillimor”, ka deklaruar Gashi.

Në Komunën e Ferizajt janë rreth 30 mijë ndërtime pa leje, të cilat pritet të legalizohen me ligjin e ri për legalizim.