Është mbajtur seancë në Apel për të akuzuarin Tom Dodaj, për veprën penale “Importi, eksporti, furnizimi, transportimi, prodhimi, këmbimi, ndërmjetësimi ose shitja e paautorizuar e armëve apo materialeve plasëse”.
Aktakuza e Prokurorisë Themelore në Prishtinë e ngarkon Tom Dodajn se më 29 nëntor 2023, rreth orës 14:00, në vendin e tij të punës në Novosellë të Epërme- Komuna e Gjakovës, me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore, e në kundërshtim me Ligjin në fuqi për armë dhe materiale plasëse, ia ka shitur një armë zjarri- pistoletë të akuzuarve Murseli dhe Plava në shumën prej 280 euro, e cila është përdorur në kryerjen e vrasjes së tani të ndjerës Liridona, vrasje e kryer në të njëjtën ditë në intervalin kohor mes orës 20:11 dhe 20:18 në Bërnicë, në rrugën “Dalip Alshiqi”, Komuna e Prishtinës.
Dodaj është dënuar me 5 vjet burgim, nga shkalla e parë në janar të këtij viti.
Në këtë seancë gjyqësore është bërë elaborimi i ankesës së avokatit Tom Dodajt, Agron Kuçi.
Kuçi kërkoi që Todajt t’i zbutet dënimi, të kthehet rasti në rigjykim ose dënimi me burgim t’i kthehet në gjobë.
Këtë e mbështeti edhe i akuzuari Tom Dodaj.
Ai tha se ndjen keqardhje për vrasjen e së ndjerës Liridonës.
Por, avokati i palës së dëmtuar, Leutrim Syla kërkoi nga Apeli që të mbetet në fuqi, aktgjykimi i shkallës së parë, dënimi me 5 vjet burgim.
Tom Dodaj, në seancën fillestare e pranoi fajësinë, për këtë gjykata e dënoi me 5 vjet burgim, nga 8 vjet sa është paraparë me ligj.
Për këtë Gjykata Themelore në Prishtinë, pati vendosur që të ndahet rasti veçmas me atë të Naim Murselit, Granit Plavës e Kushtrim Kokallës.