Një ditë pas largimit të shitësve ilegalë nga sheshet e Prishtinës, ata janë parë sërish duke vazhduar punën e tyre.
Inspektorët komunalë të shtunën kanë ndërmarrë aksion për t’i larguar shitësit ambulantë që shesin gjësende të ndryshme në sheshet e kryeqytetit, raporton KTV.
Shitësit, të cilët nuk kanë dashur të flasin para kamerës, kanë thënë se nuk kanë nga ta sigurojnë mbijetesën ndryshe dhe se kjo është mënyra e vetme.
Edhe qytetarët e kanë mirëpritur këtë veprim të komunës, por që janë shprehur se duhet të interesohen për ekzistencën e tyre, jo vetëm t’i largojnë.
E, drejtori i Inspeksionit në Komunën e Prishtinës, Adonis Tahiri, në një përgjigje me shkrim, ka thënë se ka ekipe të inspektorëve që janë çdo ditë në shesh, për të mos lejuar të kthehen sërish shitësit.
Edhe
Tahiri si kryeinspektor e ka ndër prioritetet e tij largimin e shitësve dhe taksive ilegalë
“Ne e kemi një ekip, çdo ditë, që kujdestaron në shesh. Të shtunën në mesditë kanë dalë disa shitës ambulantë, malli i të cilëve është konfiskuar. Sa herë që përsëriten rastet e tilla, inspektorët janë aty për të reaguar”, ka thënë Tahiri.
Tahiri ka bërë të ditur se një ndër prioritetet në mandatin tij, do të jetë largimi i shitësve ilegalë dhe largimi i taksive ilegale që janë në kryeqytet.