Shefi i deputetëve të Nismës Socialdemokrate, Bilall Sherifi, nuk po i beson versionit të LDK-së për takimin mes kreut të kësaj partie, Isa Mustafa dhe presidentit Hashim Thaçi, të mërkurën mbrëma.
“‘Kryetari i LDK-së Isa Mustafa u informua nga presidenti Thaçi për takimin me dy zyrtarët e SHBA-ve’. Së paku ky ishte sqarimi zyrtar i zëdhënësit të LDK-së Besian Mustafa për takimin e orëve të vona mes tyre”, ka shkruar Sherifi.
Ai ka thënë se beson se publiku i gjerë është kureshtar të mësojë arsyet se pse duhej Thaçi të shkonte që ta informonte kryetarin e LDK-së, Isa Mustafa, për përmbajtjen e takimit me zyrtarët e SHBA-ve, marrë parasysh faktin se sipas raportimit të mediave po këta zyrtarë do të takohen edhe me përfaqësues të LDK-së.
“Kjo do të konsiderohej normale poqëse zyrtarët e SHBA-së nuk do ta kishin në agjendë takimin me përfaqësues të LDK-së”, ka thënë Sherifi.
“Ditëve në vijim mbetet të shihet se çka tjetër përpos ‘informatës’ mbi takimin në fjalë i ka ofruar Thaçi Mustafës”, ka thënë tutje ai.