Bilall Sherifi nga Nisma për Kosovën, parti kjo që është pjesë e koalicionit PAN, në Interaktiv të KTV-së, ka thënë se PAN do të shkojë në seancë kurdo që të jetë e nevojshme.
Ai ka thënës e rrethanat e fundit kanë krijuar një bllokadë në Kuvend, duke shtuar se e gjitha ka filluar mbrapsht që nga fillimi i seancës konstitutive të Kuvendit.
Sherifi thotë se çështja e kryeparlamentarit ka qenë gjithmonë e ndarë nga ajo e formimit të Qeverisë, pasi asnjëherë numrat nuk kanë qenë të njëjtë ata të kryeparlamentarit dhe të Qeverisë.
“VV, LAA kanë të drejtë të votojnë si të duan. Por, këto parti i kanë bashkuar proceset... të kryeparlamentarit dhe të qeverisë, e ato janë dy procese të ndryshme”, ka thënë Sherifi.
Ai ka sqaruar se si ka shkuar procesi i formimit të institucioneve më 2014 pas bllokadës së krijuar, duke thënë se PDK, me bllokadën e atëhershme, çoi në thyerjen e LDK-së.
Sherifi tha se koalicioni PAN ka pritur më shumë nga zgjedhjet.
“Unë mendoj se LAA dhe VV po bëjnë bllokadën sepse s’e kanë shumicën qeveritare, sepse në të kundërtën moti do ta votonin Veselin për kryeparlamentar dhe të vazhdonin me formimin e Qeverisë”, ka thënë Sherifi i Nismës.
Ai thotë se LAA dhe VV nuk kanë mundësi të bëjnë bashkë.
“Meqë nuk e kanë një marrëveshje politike parazgjedhore, LAA dhe LVV po e bllokojnë procesin qysh në start të zgjedhjes së kryeparlamentarit”, thotë më tej Sherifi.
“Derisa të jetë në fuqi aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese, PAN-in s’ka kush e lëviz”, theksoi Sherifi.
“PAN-i e ka çelësin. Është mirë të votohet kryeparlamentari dhe pastaj ato parti, LAA dhe VV, të shkojnë ta formojnë qeverinë nëse i kanë numrat”.
“Është absurd që PAN-i t’i kërkojë opozitës votën për qeveri”, u shpreh zyrtari i Nismës, Bilall Sherifi.
“Mund të shkojë deri në 65 deputetë kjo shumicë, ndërsa më vonë mund edhe të zgjerohet. Nuk e përjashtojmë mundësinë që të na bashkohen partitë tjera. Tani nuk dëshirojmë të formojmë qeveri me 61 deputetë. Në seancën kur të shkojmë për të zgjedhur kryetarin e Kuvendit, shpresojmë të jetë edhe partia e cila do ta votojë edhe Qeverinë”, deklaroi Sherifi.
“Këtë javë nuk besoj se do të ketë seancë ku PAN-i do të marrë pjesë. Do të marrim pjesë në takimin konsultues”, shtoi ai, duke theksuar se “është mirë që të bisedohet”.