Kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, ka marrë vendim që shërbimi për qytetarë të punojë edhe gjatë ditëve të vikendit. Ky vendim është marrë pas ardhjes së bashkatdhetarëve në vend.
“Shërbimet e Komunës, fushëveprimi i të cilave ka të bëjë me ofrimin e shërbimeve për qytetarë, angazhohen të punojnë edhe gjatë ditëve të vikendit, ditën e shtunë dhe të diel. Organizimi i punës dhe angazhimi i stafit bëhet nga drejtorët e drejtorive përkatëse në bashkëpunim me Zyrën e personelit, në përputhje me kushtet dhe kriteret e parapara me Rregulloren (QRK) nr. 12/2020 për orarin e punës dhe pushimet e zyrtarëve publikë”, thuhet në vendimin e kryetarit Bulliqi.
Sipas tij, angazhimi i shërbimeve sipas këtij vendimi bëhet për shkak të rritjes së vëllimit të kërkesave dhe punëve me rastin e ardhjes së bashkatdhetarëve nga diaspora. Ndërkohë, gjatë ditës së martë, kryetari i Komunës së Podujevës ka marrë vendim për t’iu lejuar bashkatdhetarëve që veturat t’i parkojnë në parkingun përballë objektit të Komunës.
“Kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, ka marrë vendim që të lejojë parkimin e automjeteve të bashkatdhetarëve në parkingun brenda oborrit të Komunës (gjatë 24 orëve), gjatë qëndrimit të tyre për pushime dimërore në Kosovë”, thuhet në vendim.