Arbëri

Shënohet 20-vjetori i themelimit të Doganës së Kosovës

Kryeministri i në dorëheqje, Ramush Haradinaj, në 20-vjetorin e themelimit të Doganës së Kosovës, ka thënë se ky institucion është partner e ekonomisë së vendit përmes së cilit mundësohet qarkullimi i shpejtë i mallrave

Ai ka thënë se ka sfida, por se sipas tij, në punë duhet saktësi dhe kujdes i duhur me atë të cilët punohet, në mënyrë që të fitohet besimi i tyre.

“Është fat i madh që institucionet e sigurisë në Kosovë janë të besueshme, duke filluar nga ushtria, institucionet e rendit dhe ligjit, policia, inteligjenca, dogana dhe institucionet tjera që kanë mision ruajtjen e rendit dhe ligjit në vend. Mund të bëjnë më shumë në të ardhmen dhe ju ftoj që të jemi bashkë në këtë drejtim”, tha Haradinaj, duke theksuar se i gëzohet faktit që dogana është anëtare e Organizatës Botërore të Doganave, punohet me standarde të avancuara dhe se premtimi i tij për 100% Kosovë është i vërtetë dhe jo vetëm në këtë periudhë.

Drejtori i Përgjithshëm i Doganës së Kosovës, Bahri Berisha, tha se Dogana gjatë këtyre 20 vjetëve ka treguar rezultate në misionin e vet dhe vlerësohet si një nga institucionet me vlerat më të larta organizative dhe që nga themelimi ka qenë ndër kontribuuesit kryesor në mbledhjen e të hyrave.

“Dogana, deri më sot, ka arritur që për buxhetin të shtetit të mbledhë rreth 13 miliardë euro, shumë e rëndësishme për forcimin e shtetit”, tha Berisha, duke shtuar se misioni i saj përveç tjerash është edhe luftimi i krimeve transkufitare dhe kontrabandës ekonomisë joformale.

Në shënimin e 20-vjetorit të Doganës së Kosovës, pjesëmarrës ishin përfaqësues të shumtë të institucioneve nga vendi dhe bota.