Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Haradinaj thotë se takimi i Delegacionit të Kosovës me Mogherinin është një hap përpara

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka vlerësuar se takimi i djeshëm në Bruksel ndërmjet delegacionit shtetëror të Kosovës me përfaqësuesen e lartë të BE-së Federica Mogherini është një hap përpara.

Ai këto komente i bëri pas takimit me drejtorin e Doganës së Kosovës, Bahri Berisha, me të cilin ka biseduar për të arriturat gjatë vitit paraprak, punën e doganës në fushën e të hyrave dhe luftimin e kontrabandës, transmeton KP.

Pavarësisht se shefja e diplomacisë evropiane Federica Mogehrini kërkoi dje nga ekipi negociator i Kosovës heqjen e taksës ndaj mallrave serbe, kreu i Qeverisë së vendit takimin në Bruksel e ka quajtur pozitiv.

“Ne i kemi marrë disa informata, mendojmë se ka qenë një takim i pritur dhe i paraparë që të ndodhë ashtu. Janë paraqitë qëndrimet edhe të delegacionit shtetëror dhe të institucioneve të BE-së. Mendojmë që është një hap përpara, për mos me thënë shumë pozitiv ose i mirë, por një hap përpara, po”, tha Haradinaj.

Haradinaj me këtë rast ka thënë se Dogana e Kosovës ka mbledhur mbi 65 për qind të buxhetit të shtetit.

“Është me rëndësi të theksohet se dogana si institucion ka mbledhur për buxhetin e vendit mbi 65 për qind të buxhetit në total. Janë 582 pjesëtarë të agjencisë së doganave dhe misioni i tyre është një mision me të vërtetë i rëndësishëm, pra nuk është vetëm punë e zakonshme, është buxheti, është siguria kombëtare, por janë edhe të gjitha ato informatat e nevojshme për trendët ekonomike”, tha Haradinaj.

I pritur nga Drejtori i përgjithshëm i Doganës, Bahri Berisha, dhe i shoqëruar nga ministri i Financave, Bedri Hamza, kryeministri tha se qëllimi i vizitës sot, është shprehja e mirënjohjes dhe falënderimit, por edhe përkrahja e Qeverisë.

Edhe Shënohet 20-vjetori i themelimit të Doganës së Kosovës Arbëri Shënohet 20-vjetori i themelimit të Doganës së Kosovës

“Erdha për t’i falënderuar dhe shprehur përkrahjen time, e po ashtu edhe mirënjohjen për punën që e bëjnë, e njëkohësisht edhe për t’ua kërkuar rritjen e parametrave, sepse kjo është në interesin e të gjithëve. Po bëhen 20 vjet të ekzistencës sonë si shtet, edhe të sistemit doganor, pra vitin që vjen sistemi doganor i bën 20 vjet”, tha ai.

Ministri i Financave, Bedri Hamza, tha se ishte kënaqësi që sot bashkë me kryeministrin Haradinaj të vizitojnë njërin nga institucionet më të rëndësishme të shtetit dhe njërin nga kontribuesit më të mëdhenj të buxhetit të Kosovës.

Ndërkaq, Drejtori i Përgjithshëm i Doganës, Bahri Berisha, tha se e njoftoi Haradinajn për punët që i kanë bërë në vitin 2018 dhe të arriturat që i kanë pasur në fushën e të hyrave, luftën e ekonomisë informale, krimit transkufitar të kontrabandës por edhe shumë procese, siç janë reformat që është duke i zhvilluar dogana.