Arbëri

Liberalizimi i vizave, lidhja e tij me taksën 100 %

Zyrtarë të lartë të BE-së kanë vazhduar kritikat për Qeverinë e Kosovës, tani për dialogun. Pas kërkesës për tërheqje të taksës, Federica Mogherini, ia ka bërë të qartë Qeverisë se dialogu duhet të vazhdojë të udhëhiqet nga presidenti Hashim Thaçi, pavarësisht miratimit të ekipit negociator nga Kuvendi, raporton KTV.

E kryeministri nuk e ka ndërruar qëndrimin për Mogherinin.

Veç thirrjes së vazhdueshme për ta hequr taksën 100 për qind ndaj mallrave serbe dhe boshnjake, zyrtarë të lartë të Bashkimit Evropian tani i janë drejtuar Qeverisë edhe për dialogun me Serbinë.

Në letrën e re, e cila ka ardhur në adresë të ekzekutivit të vendit, përfaqësuesja e Lartë e BE-së, Federica Mogherini, dhe dy komisionarët e BE-së, akuzojnë kryeministrin Haradinaj se me vendimet e njëanshme është duke rrezikuar përparimin që është arritur në këtë dialog.

Aty, gjithashtu, Bashkimi Evropian ia ka bërë të qartë Haradinajt se dialogu duhet të vazhdojë në nivelin që ka filluar - atë të presidentëve.

Kryeministri Haradinaj e ka siguruar Brukselin se e mbështet presidentin Thaçi në procesin e dialogut me Serbinë “bazuar në kompetencat e tij kushtetuese”.

Por, kryeministri i Kosovës nuk e ka ndërruar qëndrimin e tij për Mogherinin.

Në mbledhjen e Qeverisë, ekzekutivi gjithashtu i ka dërguar grupit negociator dhe presidentit Hashim Thaçi, draft-marrëveshjen përfundimtare për dialogun me Serbinë.

Avni Arifi, pjesë e ekipit negociator ka paraqitur para kabinetit objektivat e kësaj draft-marrëveshjeje.

Haradinaj u pyet nga gazetarët nëse heqja e taksës për mallrat serbe është kusht për liberalizmin e vizave, por ai ka thënë se Mogherini nuk guxon t’i lidhë këto dy çështje pasi janë të ndara.

Sipas tij, Kosova është duke u angazhuar maksimalisht që qytetarët të lëvizin pa viza brenda këtij viti ose në fillimin të vitit të ardhshëm.