“Në momentin kur kemi filluar me trajtimin e parë ishte shumë e vështirë se kë prej stafit do ta emëronim që të punonte me rastet e para duke qenë se nuk i dinim komplikimet e mundshme”.
Kjo është sfida të cilën, Afrim Avdaj, udhëheqësi i Spitalit të Prizrenit e vendos në krye të listës së problemeve, me të cilat janë ballafaquar në fillim të pandemisë COVID-19.
Për të lehtësuar punën në Klinikat e QKUK-së, Komiteti i SHSKUK-së vendosi që edhe në spitale rajonale të trajtohen pacientët e dyshuar e të infektuar me këtë virus.
Vitia dhe Klina ishin qytetet e para të cilat u përballën me personat e parë të infektuar me COVID-19. E mënyra sesi institucionet do t’i trajtonin të infektuarit me këtë virus do të vinin në pah informatat e pakta që kishte stafi shëndetësor dhe kushtet me të cilat ballafaqoheshin ata.
Shkaku që stafi shëndetësor e edhe institucionet ishin të papërgatitura, Ministria e Shëndetësisë vendosi që Qendrën e Studentëve të kthejë në Qendër të karantinës, ku të gjithë personat që hynin në Kosovë, nga shtete të tjera detyroheshin të izoloheshin për dy javë.
Klinika Infektive, e cila nuk ishte edhe aq e njohur për të gjithë, u bë qendra më e frekuentuar nga qytetarët që nga marsi e tutje.
Infektologët krahas të tjerëve ishin ata që u përfshinë në gjithë trajtimin e pacientëve të infektuar me COVID-19.
Me gjithë falënderimet dhe lëvdatat për stafin mjekësor, qytetarët patën edhe ankesa të shumta.
Çmimet e larta të barnave që përdoren për trajtimin e kësaj sëmundjeje e që institucionet shëndetësore publike nuk ishin në gjendje t’i siguronin, i detyruan qytetarët që të shpenzonin me mijëra euro.
Klinikës Infektive, që fillimisht shërbente për pacientët me COVID, iu shtuan edhe Klinika e Pulmologjisë dhe ajo e Mjekësisë Sportive, ku trajtohen pacientët me gjendje të rëndë.
Ndonëse këto klinika u dilnin në ndihmë të infektuarve, mungesa e kapaciteteve u shkaktonte probleme që të mund të trajtonin raste të tjera.
Që nga muaji qershor e tutje, ishte e vështirë të gjendej një shtrat i lirë.
Por, të gjitha problemet e tjera u harruan. Gjatë muajit nëntor, kur spitalet e edhe klinikat u përballën me fluks të pacientëve, u shfaq një problematikë e re.
Mungesa e oksigjenit.
Ky problem bëri që vetë familjarët e pacientëve të gjenin mënyra të tjera që të siguronin oksigjen, madje edhe në kompani të palicencuara nga institucionet.
Por përballja për 9 muaj me koronavirusin nuk ka shuar shpresat e personave që ishin në vijën e parë të frontit.
Duke shpresuar që viti 2021 do jetë vit kur fokusi i institucioneve do të kthehet nga shëndetësia dhe ky sektor do të trajtohet më seriozisht, ata shpresojnë që edhe pandemia të fillojë të futet në binarë.