Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Shehu: 14 prilli, hap drejt njohjes së statusit për viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës

Veprore Shehu, udhëheqëse e organizatës “Medica Kosova”, që ofron përkrahje shëndetësore e ekonomike për viktimat e dhunës seksuale, ka deklaruar se zyrtarizimi i 14 prillit si Dita e të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, është hap drejt njohjes së statusit të viktimës.

Ajo ka deklaruar në Konfrontin e KTV-së se tash e dy dekada po punohet në këtë drejtim, që viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës të ndihen të përkrahura nga shteti.

“Prandaj, për ne si organizata që punojmë tash e mbi dekada për përkrahjen rehabilitimin e kësaj kategorie, se është një institucionalizim i njohjes së të vërtetës që ka ndodhur ndaj vajzave dhe grave në Kosovë. Është solidarizim dhe njohje e dhimbjes, meqë gjithmonë marshet dhe ditët e shënuara kanë njohur kategori të tjera të luftës , por këtë kategori, edhe për shkak të stigmës dhe s’ka pasur mundësi të kërkojë të ketë nj ditë të veten”, ka thënë Shehu.

Sipas saj, ka vend shumë rrugë për t’u bërë në këtë drejtim, por shënimi i 14 prillit është fakt që duhet krenuar me të.

Shehu u shpreh se edhe viktimat e dhunës duhet të ndihen më të lehtësuara dhe më krenare, derisa iu bëri thirrje që të flasin publikisht për të kaluarën e hidhur.

“Ndihemi të lehtësuara dhe krenare që kemi këtë ditë. T’i shënojmë këto ditë me aktivitete të ndryshme, të mos e harrojmë këtë të vërtetë të hidhur, gjithmonë në solidarizim. Ne si organizata që punojmë me këtë kategori të ndjeshme duhet të apelojmë që sa më shumë qytetarë t’i bashkohen marshit nesër sepse duke ecur së bashku tregojmë përkrahjen publike për këto gra dhe burra”, ka shtuar ajo.