Në kohën e tensioneve të larta midis Kosovës dhe Serbisë, ish-zyrtari i lartë i NATO-s, Jamie Shea, u bën thirrje të dyja palëve që të heqin dorë nga retorika nxitëse dhe të përqendrohen te gjetja e zgjidhjes për lirinë e lëvizjes.
Shea, ish-zëvendës i ndihmësit të sekretarit të përgjithshëm të NATO-s, porosit Beogradin se përgjegjës për sigurinë në Kosovë është misioni i NATO-s, KFOR, i cili bashkëpunon me Policinë e Kosovës.
“Mendoj se NATO-ja duhet t’i tregojë Beogradit se është plotësisht në gjendje të vazhdojë mandatin e saj, që është ruajtja e sigurisë, duke përfshirë edhe serbët, dhe se Beogradi nuk ka asnjë rol në Kosovë, në këtë drejtim”, tha ai duke komentuar deklaratën e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, se nëse NATO-ja nuk e bën punën e vet, Beogradi do të ndërhyjë “për të mbrojtur” serbët në Kosovë.
Shea shfaq shpresën se nuk do të ketë përshkallëzim të situatës. “Kemi të bëjmë me një luftë diplomatike, e jo luftë ushtarake”, tha ai për Radio Evropa e Lirë.
Tensionet midis Kosovës dhe Serbisë janë rritur në fillim të këtij muaji kur Prishtina ka thënë se do t’i detyrojë serbët që jetojnë në veri - të cilët mbështeten nga Beogradi dhe nuk i njohin institucionet e Kosovës - të fillojnë të përdorin targat e makinave të lëshuara në Prishtinë.
Edhe
Shea i bindur se Serbisë do t’i refuzohet kërkesa për kthim të ushtrisë në Kosovë
Në shenjë pakënaqësie, disa serbë në veri kanë ngritur barrikada në rrugë dhe Qeveria e Kosovës, me sugjerimin e bashkësisë ndërkombëtare, ka shtyrë zbatimin e vendimit për datën 1 shtator.
Shea tha se KFOR-i duke e ditur afatin e 1 shtatorit, “është mirë i përgatitur”.
“Shpresoj, sidomos pas takimit në Bruksel më 18 gusht, të organizuar nga BE-ja, palët [Kosova dhe Serbia] të heqin dorë nga retorika nxitëse. Kam dëgjuar [presidentin serb] Aleksandar Vuçiq të ketë thënë se kosovarët duan që popullata serbe të largohet nga Kosova. Ky është absurditet total. Të gjithë e dimë. Pra, të hiqet dorë nga kjo retorikë, e cila nxeh situatën”, tha ai për REL.
Shea ka thënë se situata nuk është krejtësisht stabile dhe sipas tij, NATO-ja duhet të ketë trupa rezervë që mund të sillen në Kosovë në rast krize.
“KFOR-i [misioni paqeruajtës i NATO-s] është ende në Kosovë. NATO-ja ka lënë Afganistanin - edhe pse e di se është një rrëfim tjetër. NATO-ja ka lënë Bosnjën, e cila është dorëzuar te BE-ja, shumë vite më parë. Por, NATO-ja është ende në Kosovë. Natyrisht, nuk i ka më 40.000 trupa, i ka [mbi] 3.700. Por, fakti që janë atje, tregon se situata nuk është stabilizuar dhe normalizuar ende tërësisht. NATO-ja në Bruksel duhet të ketë trupa rezervë, që mund të dërgohen shpejt në Kosovë, në rast të krizës. Duhet të ketë një plan evakuimi, po ashtu”.
Edhe
Ish-zëdhënësi i NATO-s: Bashkëpunimi Kosovë-Shqipëri-Kroaci nuk e kërcënon Serbinë
Sa i përket një marrëveshjeje Kosovë-Serbi, Shea ka thënë se nuk ka anëtarësim në BE për Serbinë pa e njohur Kosovën.
“Serbia nuk mund të jetë realisht pjesë e Bashkimit Evropian derisa nuk e njeh Kosovën... [Zgjidhja] gjithashtu duhet ta kushtëzojë ndihmën për Kosovën me vullnetin e saj për të ecur përpara”.