Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

SHBA-ja kundërshton kategorikisht kthimin e ushtrisë serbe në Kosovë

I dërguari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ka thënë në një intervistë për Radion Evropa e Lirë se SHBA-ja kundërshton kategorikisht kthimin e forcave serbe në Kosovë, që Serbia ka paralajmëruar se do ta kërkojë nga KFOR-i në veri.

Ai ka thënë se Kosova ka garanci të forta sigurie nga SHBA-ja, që sipas tij, manifestohen përmes pjesëmarrjes në misionin e KFOR-it.

“Ne e kundërshtojmë këtë kategorikisht. Ne e hedhim poshtë kategorikisht. Ne nuk e mbështesim këtë fare. Unë gjithashtu dua të them se Kosova ka garanci shumë të forta sigurie nga SHBA-ja”, ka thënë Escobar.

I pyetur se cili do të ishte reagimi i SHBA-së nëse ushtria serbe futet në Kosovë, Escobar u shpreh qartë: “E para, këtë nuk e pres. E dyta, po e përsëris, Kosova ka garanci të forta sigurie nga SHBA-ja, të manifestuara përmes pjesëmarrjes së saj në KFOR”.

Qëkur zyrtarët e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve u përpoqën të hyjnë në objektet e tyre në katër komunat në veri të Kosovës, për t’i organizuar zgjedhjet e parapara për këtë fundjavë, në veri ka pasur sulme ndaj Policisë dhe zyrtarëve të KQZ-së. Shok-bomba e madje edhe sulme me armë kanë përcjellë këto ditë veriun. Një polic është plagosur si pasojë e të shtënave në Zveçan.

Një ish-polic serb i Kosovës është arrestuar për këto sulme. Serbët lokalë në shenjë proteste kanë bllokuar rrugët në drejtim të pikave kufitare Jarinjë e Bërnjak, që janë mbyllur përkohësisht.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Britania e Gjermania kanë reaguar pas bllokimit të rrugëve duke kërkuar nga Serbia t’i heqë barrikadat.

Escobar: Barrikadat duhet të hiqen

Escobar gjatë intervistës për Radio Evropën e Lirë, ka thënë se pjesërisht ndan mendimin me kryeministrin e Kosovës, Abin Kurti, se barrikadat në veri janë ndikuar nga Beogradi.

“E ndaj një pjesë të këtij mendimi. Megjithatë, nisur nga diskutimet e mia me komunitetin atje, ata i kanë disa ankesa që duhen dëgjuar. Nuk mendoj se bojkoti dhe barrikadat janë mënyrë për ta bërë këtë. Por, unë mendoj se komunikimi i hapur, dialogu dhe pranimi se ka mungesë besimi mes dy komuniteteve, janë të rëndësishëm për të ecur përpara me sukses”, tha Escobar.

Ai ka thënë se barrikadat duhet të hiqen nga njerëzit që i kanë vendosur ato. Porse, ka thënë se duhet t’u ofruar rrugë diplomatike atyre për t’i adresuar ankesat.

Escobar ka thënë se ka dëgjuar serbët në veri të Kosovës.

“E kam dëgjuar këtë prej tyre. E kam dëgjuar edhe prej pjesëtarëve të shoqërisë civile dhe prej njerëzve të tjerë që nuk janë të lidhur politikisht, se në shumë raste, ata ndihen të izoluar nga qeveria qendrore. Tani, në disa raste, ata ndihen të frikësuar edhe nga disa njerëz që janë të lidhur me Beogradin. Pra, ne duhet të gjejmë një rrugëdalje nga ky kurth. Dhe, rruga përpara është përmes koordinimit të kujdesshëm, dialogut të hapur dhe angazhimit të plotë në dialogun që e lehtëson BE-ja”, tha Escobar.

Ai ka bërë thirrje po ashtu që Qeveria e Kosovës t’i pranojë serbët e dorëhequr që vendosin të rikthehen në institucione të Kosovës – ata që e kanë të lejuar të kthehen. Ndërsa ka thënë se edhe pjesëtarët e Listës Serbe duhet të kthehen.

“Sigurisht që shpresoj në këtë, dhe shpresoj që kur të arrijmë një zgjidhje, e cila shpresoj të ndodhë shpejt – homologu im Mirosllav Lajçak është sot këtu – do të shohim largimin e barrikadave dhe do të shohim një rrugë përpara për riintegrimin. I bëj thirrje Qeverisë së Kosovës që t'i pranojë njerëzit që do të kthehen, ata që kanë të drejtë të kthehen, t’i lejojnë të kthehen. Dhe, më pas të lëvizim përpara në diskutimet për normalizim”, tha Escobar. “Mendoj se ata duan të kthehen. Mendoj se askush nuk përfiton nga bojkoti. Mendoj se të gjithë duhet të angazhohemi në procesin e pajtimit dhe mendoj se ata mund të jenë pjesë e këtij procesi”.

Escobar: Duhet punuar menjëherë për Asociacionin

Escobar ka folur edhe për çështjen e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Ai ka thënë se duhet të punohet menjëherë për Asociacionin.

“Unë i kam thënë komunitetit çserb] se jam i hapur t’i dëgjoj shqetësimet e tyre. Ata kanë disa shqetësime legjitime. Ne, po ashtu, po kërkojmë mënyra për ta ndihmuar këtë Qeveri që të forcojë pozicionin e saj në shumë gjëra. Por, gjëja më e rëndësishme që SHBA-ja do, është të shohë krijimin e Asociacionit të komunave serbe. Unë u kam thënë njerëzve se Shtetet e Bashkuara do ta ndihmojnë këtë qeveri që ta zbatojë këtë. Nga pozicioni ynë, është një detyrim ndërkombëtar, ligjërisht i obligueshëm. Është obligim për Serbinë, është obligim për Kosovën, është obligim për BE-në që ka ndihmuar në negocimin e tij (Asociacionit). Dhe, pasi që ne e mbështesim dialogun, është edhe angazhim yni. Tani, një politikan i vetëm në një parti të vetme politike nuk mund të largohet nga ky detyrim. Pra, ne do të punojmë për Asociacionin. Ky do të jetë kontributi ynë në procesin e dialogut. Të jem i sinqertë, unë mendoj se duhet të punohet menjëherë për Asociacionin. Duhet të jetë në agjendë për diskutimin e radhës. Ne duhet të mendojmë se si ta përdorim atë për të krijuar besim në mes të Qeverisë dhe komunitetit minoritar. Kjo nuk ka të bëjë me Serbinë. Kjo ka të bëjë me marrëdhënien ndërmjet Qeverisë dhe komunitetit minoritar, në kuadër të strukturës kushtetuese të Kosovës dhe plotësisht sipas ligjeve të Kosovës. Unë e shoh këtë si mundësi për t'i përmirësuar marrëdhëniet ndërmjet grupeve, dhe jo si mundësi e një shteti tjetër që të ndërhyjë në çështjet e brendshme të Kosovës”, tha Escobar.

Ai thotë se Asociacioni është obligim dhe se të gjitha obligimet ekzistuese duhet zbatuar. Ndërsa sa i përket shqetësimeve se me këtë formohet një Republika Sërpska në Kosovë, Escobar ka mohuar.

“Jo, absolutisht jo. Nuk është mekanizëm që do t’i imponohet Kosovës. Është një çështje, për të cilën Kosova mund të punojë me komunitetin ndërkombëtar, si dhe me komunitetin e prekur, për të gjetur zgjidhje që përbën fitore për dy palët, që mundëson mbrojtjen e të drejtave kolektive, duke e mundësuar ruajtjen e funksionalitetit dhe kushtetutshmërisë së këtij shteti të pavarur dhe sovran”, tha Escobar.

Escobar: Duhet të arrihet marrëveshje përfundimtare, të ketë edhe njohje të ndërsjellë

Emisari i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor ka folur edhe për planin franko-gjerman, e po ashtu për mundësinë e arritje të një marrëveshje përfundimtare.

“Bisedimet për atë propozim, që ne e mbështesim plotësisht, janë në fazë shumë të ndjeshme. Jemi në fazë shumë preliminare të diskutimit. Mendojmë se përbën fitore për të dyja shtetet dhe krijon mundësi për to që të diskutojnë zgjidhjen e kontesteve, mbrojtjen e komuniteteve pakicë, mbrojtjen e zonave fetare dhe atyre kulturore, dhe shumë gjëra që do t’iu ndihmojnë atyre që të thellohen në integrimet evropiane. Në qendër duhet të jenë integrimet evropiane për të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor. Në këtë kontekst, një marrëdhënie e mirë, marrëdhënie e qëndrueshme mes të gjitha shteteve të rajonit. Dhe në fund, njohja e plotë e së drejtës së të gjitha shteteve për të ekzistuar, e pavarësisë dhe sovranitetit të tyre. Pozicioni ynë nuk ka ndryshuar kurrë në këtë aspekt, që njohja duhet të ndodhë. Megjithatë, sekuenca e hapave dhe mënyra se si arrijmë deri aty është diçka që duhet të diskutohet në kuadër të dialogut. Qëndrimi ynë është se shtetet e këtij rajoni – në mënyrë që gjithë rajoni të ecë përpara – duhet të kenë marrëdhënie të barabarta, të respektueshme dhe paqësore me njëra-tjetrën”.

Ai ka thënë se sigurisht njohja e ndërsjellë duhet të ndodhë.

Escobar ka thënë se shpreson që me urgjentë të nisin diskutimet për normalizim, e që deri në prill të nisin edhe diskutimet për formimin e Asociacionit.

“Ajo se çfarë pres të ndryshojë, është që fillimisht të nisin me urgjencë diskutimet për normalizim. Shpresoj që të kenë nisur deri atëherë. Së dyti, që deri në prill veçse t'i kemi të nisura diskutimet për Asociacionin. Më duhet të jem i qartë, ne do ta kemi Asociacionin, ne do të jemi pjesë e procesit, dhe ai proces duhet të përfshijë Qeverinë e Kosovës. Nëse jo, ne mund ta zhvillojmë atë diskutim me partnerë alternativë, me shoqërinë civile, me grupet e të rinjve, me komunitetin e biznesit, me të gjithë që do të donin të shihnin Serbinë dhe Kosovën duke dalë nga ky cikël i jostabilitetit. Është duke u dëmtuar biznesi, është duke u dëmtuar e ardhmja e të rinjve, të gjithë duan të shohin që këto dy shtete të ecin përpara”.

Për një marrëveshje finale Kosovë – Serbi ai nuk ka dashur të japë afat kohor, por ka thënë se “duhet arritur urgjentisht”.

Escobar po ashtu ka thënë se marrëdhëniet mes SHBA-së dhe Kosovës janë të qëndrueshme e të forta.

“Më duhet të jem shumë i qartë në këtë gjë. Marrëdhëniet në mes të Shteteve të Bashkuara dhe Kosovës janë të qëndrueshme. Janë të forta. Këto marrëdhënie janë me njerëzit e Kosovës, jo me një person konkret apo me një palë. Ne jemi të hapur për partneritet me Qeverinë këtu. Kjo nuk nënkupton që nuk do të kemi dallime taktike. Njerëzit duhet ta presin këtë gjë. Mirëpo, kjo nuk nënkupton që SHBA-ja është duke braktisur mbështetjen e fuqishme për Kosovën”.

Ndërsa ai ka thënë se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq dhe Serbia shumë herë janë kritikuar që nuk i kanë vendosur sanksione Rusisë dhe se shpreson se këto sanksione do të vendosen.

Escobar flet për "Ballkanin e Hapur"

Escobar gjatë intervistës ka folur edhe për “Ballkanin e Hapur".

“Qëndrimi ynë sa i përket Ballkanit të Hapur është shumë i qartë, ne mbështesim të gjitha nismat për integrim ekonomik rajonal, me dy kushte. E para, që ato t’ju sjellin më afër Evropës dhe të mos bien ndesh me obligimet tuaja evropiane, qoftë të Procesit të Berlinit apo çfarëdo nisme të udhëhequr nga BE-ja. Dhe e dyta, që të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor të lejohen që t’iu bashkohen nismave, si anëtarë me të drejta të plota. Deri më tani, Ballkani i Hapur kualifikohet në këto dy kategori. Tani, nëse dështon që t'i respektojë ndonjërën nga këto dy kushte, ne absolutisht që do të tërheqim mbështetjen për Ballkanin e Hapur”.

Artikuj të ngjashëm