Shtetet e Bashkuara të Amerikanë po kërkojnë që bashkësitë fetare në Kosovë të mund të regjistrohen pa kriter që përcakton numrin e anëtarëve të tyre.
Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, në diskutimin publik për Projektligjin për liritë fetare ka thënë se duhet të ndiqet politika e SHBA-së e cila nuk kërkon si kriter një numër të individëve që mund ta formojnë zyrtarisht një bashkësi fetare.
“Ndryshimet e propozuara e para 10 vjetëve kanë kërkuar 50 anëtarë si minimum për të regjistruar e jo 100 anëtarë siç është në projektligjin e tashëm. SHBA-ja rekomandon heqjen e ndonjë apo çdo reference për numrin më të vogël dhe do ta vë në pah se ka edhe shtete të tjera evropiane që janë në vijë me SHBA-në për asnjë kërkesë për regjistrim. Do të ishte më mirë që të gjitha bashkësitë fetare të regjistrohen pa marrë parasysh madhësinë e tyre apo kohëzgjatjen e ushtrimit të besimit në Kosovë”, ka thënë Hovenier.
Ai ka shtuar se për një dekadë në Kosovë ka munguar statusi ligjor për grupet fetare dhe ka nxitur përfaqësuesit e bashkësive të pranishëm në diskutimin në Qeverinë e Kosovës që t’i korrigjojnë mangësitë në legjislacion.
Kryeministri Albin Kurti ka thënë se projektligji do t’u ofrojë edhe bashkësive të vogla e të reja të drejta të barabarta me të tjerat ekzistente.
“Projektligji do t’u ofrojë sa më shumë bashkësive fetare mundësinë për t’u regjistruar zyrtarisht. Relativisht edhe ato bashkësi që janë të vogla dhe të reja në Kosovë do të përfitojnë të drejta të plota dhe të barabarta me ato që janë më të mëdha dhe që kanë një histori më të gjatë mes popullatës sonë”, ka theksuar Kurti.
Ndërsa, kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, ka thënë se ligji është me rëndësi të bëhet në mënyrë që bashkësitë fetare të mund t’i ushtrojnë të drejtat e tyre.
“Ne populli i Kosovës jemi shembulli më i mirë por edhe dëshmitarë të historisë që kemi qenë urë lidhëse mes diversiteteve fetare dhe si popull asnjëherë nuk kemi pasur konflikte të karakterit fetar. Ky ligj është me rëndësi të bëhet pasi ajo që ka munguar deri tash për bashkësitë fetare është personaliteti i tyre juridik. Për shkak të kësaj mangësie në legjislacionin tonë ka munguar zotësia juridike e bashkësive fetare për t’i ushtruar disa të drejta të tyre fundamentale”, ka deklaruar Konjufca.
{gallery}