Liderët e Ballkanit Perëndimor, përfaqësues të Bashkimit Evropian e të SHBA-së u bënë bashkë të hënën në Maqedoninë e Veriut. Plani i rritjes së BE-së, përfitimet nga ai e kushtet për të përfituar ishin në fokus të diskutimeve që u zhvilluan. Në takim nuk kaloi pa u përmendur kërcënimi i sigurisë nga Serbia e pasojat me të cilat vendet mund të përballen nëse pengojnë njëra-tjetrën në integrimin rajonal, e kësisoj edhe drejt bllokut evropian.
Avancimi në rrugëtimin drejt Bashkimit Evropian bëri bashkë kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, e presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq, të hënën.
Kurti e Vuçiq u ulën në një tavolinë, për herë të dytë brenda një jave.
Kësaj radhe në Shkup të Maqedonisë së Veriut në takimin e liderëve të Ballkanit Perëndimor me Bashkimin Evropian për planin e rritjes.
Por integrimi ekonomik i rajonit që kërkohet në drejtim të përfitimit nga blloku evropian, kryeministri Kurti tha se nuk mund të bëhet pa u ndalur kërcënimet e sigurisë.
“Integrimi më i thellë dhe rritja e qarkullimit të mallrave dhe njerëzve, kërkon besim të ndërsjellë e marrëdhënie normale mes shteteve tona, institucioneve e njerëzve tanë. Kjo s’mund të ndodhë nëse liritë për qarkullimin e mallrave shfrytëzohen për të bartur armë e municioni apo për t’i sponsorizuar sulmet terroriste”, deklaroi Kurti.
Që të arrihet synimi i rajonit nga Bashkimi Evropian e Shtetet e Bashkuara të Amerikës u kërkua bashkëpunim mes vendeve të Ballkanit Perëndimor derisa u paralajmëruan pasoja për ato që e pengojnë rrugëtimin integrues.
“Ne do t’ju ndihmojmë të integroheni mes vete, derisa të integroheni në tregun e përbashkët. Konsideroj se është shumë me rëndësi, pasi pa integrim rajonal thjesht s’mund të shfrytëzoni mjaftueshëm leverditë e tregut tonë të përbashkët. Prandaj kusht në këtë pjesë të planit të rritjes është të mos i bllokoni fqinjët. Mund ta bllokoni vetveten nëse bllokoni fqinjët”, theksoi drejtori i përgjithshëm për Fqinjësinë dhe Negociatat e Zgjerimit në Komisionin Evropian, Gert Jan Koopman.
Ndihmëssekretari amerikan i Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, James O`Brien, tha askush s’ka të drejtë ta pengojë dikë në avancim.
“Askush s’ka të drejtë ta pengojë dikë për avancim pasi s’ka çështje dypalëshe të pazgjidhur; kush e bën këtë do të ballafaqohet me pasoja; nëse një shtet do të presë të vëzhgojë, atëherë qytetarët e atij shteti do të vendosin nëse ata liderë janë të duhurit, secili lider e vëren rëndësinë për të avancuar në këtë drejtim”, deklaroi O`Brien.
Presion mbi Bosnjë-Hercegovinën që të ratifikojë marrëveshjen për lëvizjen e lirë kërkoi kryeministri Edi Rama.
Nga përfaqësuesit e Ballkanit Perëndimor ka bërë thirrje që të lihet anash historia e të punohet në të mirë të qytetarëve.
“Flamuri më i rëndësishëm është flamuri i BE-së, që të realizojmë. Për histori mendoj se kishim liderë të mjaftueshëm, ministrat të mbajnë mend se kemi vetëm një ngjyrë, ajo është ngjyra e flamurit të BE-së”, deklaroi Rama.
Plani i rritjes së BE-së për të cilin u diskutua të hënën është miratuar në nëntor të vitit të shkuar nga Komisioni Evropian.
Plani i BE-së për Ballkanin Perëndimor synon rritjen ekonomike të rajonit, përshpejtimin e reformave të duhura dhe kryerjen e investimeve, që mund të avancojnë procesin e zgjerimit të BE-së me këto vende. Vlera e ndarë nga BE-ja për këtë plan, në periudhën 2024-2027, është 6 miliardë euro. Pagesat është thënë se do të ekzekutohen vetëm pas përmbushjes së reformave të diskutuara.
Pas diskutimeve që u zhvilluan mes liderëve të Ballkanit Perëndimor e përfaqësuesve të BE-së e SHBA-së, e planifikuar ishte edhe një konferencë e përbashkët mes tyre.
Por, përveçse nuk u realizua në kohën e paraparë, para mediave dolën vetëm nikoqiri i takimit, kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovacevsk,i e ndihmëssekretari amerikan, James O`Brien.
Kovaçevski arsyetoi mosmbajtjen e saj me mungesën e kohës e largimin e disa prej liderëve.
Por theksoi se fokusi në takim ka qenë në dy prej katër shtyllave të planit: në tregun rajonal dhe në tregun e BE-së.