Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

SHBA-BE me deklaratë të përbashkët: Kosova e Serbia shpejt e pa kushte ta zbatojnë marrëveshjen

Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian, me një deklaratë të përbashkët, të lëshuar të premten nga samiti i përbashkët SHBA-BE, kanë kërkuar nga Kosova e Serbia që të nisin shpejt e pa kushte implementimin e marrëveshjes drejt normalizimit.

“Ritheksojmë zotimin e përbashkët për stabilitet në Ballkanin Perëndimor dhe mbështetjen tonë për perspektivën e rajonit drejt BE-së. Të gjithë partnerët duhet të vazhdojnë të bëjnë reformat e kërkuara për përparim në rrugën e tyre evropiane. Theksojmë nevojën që Kosova dhe Serbia urgjentisht të shtensionojnë urgjentisht situatën dhe shpejt e pa kushte të implementojnë marrëveshjen për rrugën për normalizim në raportet e tyre dhe të kthehen në dialogun e lehtësuar nga BE-ja”, thuhet në deklaratë, në fjalinë e vetme në të cilën përmendet Kosova.

Letra e përbashkët është publikuar në uebfaqen e Komisionit Evropian.

Deklarata vjen pak orë para se pesë diplomatë euroamerikanë të vizitojnë Kosovën dhe Serbinë, në atë që po shihet si nisja e përpjekjeve për t’i ulur tensionet dhe për t’i rikthyer palët në tryezën e negociatave.  Në fokus do të jetë situata në veri pas sulmit terrorist në Banjskë të Zveçanit e kërkesat për shtensionim, si dhe nxitja e palëve për ta zbatuar Marrëveshjen e Brukselit. Një ditë para vizitës së diplomatëve perëndimorë, kryeministri Albin Kurti ka thënë se të shtunën do ta kuptojë kërkesën dhe atë që do të ofrojnë përfaqësuesit euro-amerikanë. Por sërish e ka vënë theksin tek siguria në vend, pa të cilën ka thënë se nuk mund të ketë normalizim raportesh me Serbinë.

Në shkurt, në Bruksel Kosova dhe Serbia arritën dakordim për marrëveshjen për rrugën drejt normalizimit. Në mars, në Ohër, u arrit edhe dakordimi për Aneksin e Zbatimit të kësaj marrëveshjeje. Pajtimi për të dyja marrëveshjet u arrit pa nënshkrime të palëve.

Edhe Kurti për Marrëveshjen e Washingtonit: Së pari ajo e Brukselit LAJMET E MBRËMJES Kurti për Marrëveshjen e Washingtonit: Së pari ajo e Brukselit

Megjithatë deri tash s’ka pasur lëvizje në funksion të zbatimit të kësaj marrëveshjeje. Takimi i fundit i kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, përfundoi po ashtu pa rezultate për rrugën drejt zbatimit të marrëveshjes. Ndërmjetësit nga BE-ja akuzuan Kosovën se ka insistuar në njohje reciproke duke mos pranuar propozimin “që palët të nisin paralelisht zbatimin e kërkesave” të BE-së. E Kurti u shpreh se kushtëzimi i Serbisë me Asociacionin e komunave me shumicë serbe tashmë qe shndërruar në qëndrime të emisarëve ndërmjetës.

Pas takimit në mes të shtatorit, më datë 24 pati sulm terrorist në Banjskë të Zveçanit. Një grup i uniformuar serbësh vrau policin Afrim Bunjaku e në aksionin pasues të Policisë u vranë tre sulmues. Pjesa tjetër e grupit me dhjetëra anëtarë arriti të ikte. Kapja e arsenalit të madh të armëve të prodhuara në Serbi dhe dokumentet që tregojnë se ky grup ushtroi dhe u përgatit në territor të Serbisë, bënë që Kosova ta akuzonte direkt Serbinë se qëndroi prapa sulmit. Në disa raste, liderët e Kosovës kanë theksuar se më “dialogu nuk mund të jetë njësoj si përpara”.