Shefki Shatri nga Shoqata e Fermerëve të Istogut, ka deklaruar se subvencionet për prodhuesit vendorë nuk mjaftojnë po që se nuk mbrohen produktet e vendit. Ai ka treguar se ka rreziqe nga invazioni i jashtëm që sipas tij shesin produkte në mënyrë të jashtëligjshme , për çka nuk ndërmerren masa.
I ftuar në emisionin SOT të KTV-së, Shatri ka treguar një faturë se si në Kosovë janë importuar mishra të viçit me çmim prej 1.30 euro, që sipas tij, janë çmime artificiale dhe në këtë mënyrë po bëhet shpëlarje parash.
“Në qoftë se ne nuk i mbrojmë produktet e prodhimet tona duke filluar nga mishi, qumështi dhe produkte të tjera, faktikisht nuk arrijmë asgjë edhe po t’i dhjetëfishojmë subvencionet. Këtu e kam një faturë, viça të importuar nga një shtet prej 1.30 euro, nuk e di a ka diku në botë mish viçi me 1.30 të importuar nga jashtë. Faktikisht këtu dikush është duke bërë shpëlarje të parave, dikush është duke e dëmtuar fermerin tonë që ndoshta nuk mund ta shesë produktin e tij pasi që tregtarët e pandërgjegjshëm e kanë rrugën e hapur. Dikush duhet të fusë sanksione, asnjë masë ende nuk është marrë. Në qoftë se produktet e bizneseve vendore nuk mbrohen prej invazionit të jashtëm në mënyrë jo të ligjshme, këto janë të rrezikshme jashtëligjore, prokuroria duhet të marrë masa sa më shpejt”, ka thënë Shatri.
[VIDEO]
Sa i përket gjendjes së qumështit në vend, Ramadan Memaj nga Shoqata e Qumështarëve të Kosovës, ka thënë se është stabile, ndërsa ka njoftuar se çmimet në treg janë rritur rreth 10-15 për qind.
Edhe
Rreth 4 milionë euro vlera e qumështit dhe produkteve të tij të importuara nga tri shtete të rajonit
“Sa i përket qumështit, kemi një situatë stabile ku qumështi është duke u prodhuar normalisht, e gjithë sasia që prodhohet është duke u grumbulluar dhe nuk kemi teprica të qumështit, kështu që gjendja është krejtësisht në suaza normale, ndërsa sa i përket çmimeve, është e vërtetë që ka pasur ngritje në qoftë se bëjmë një krahasim me vitin e kaluar apo dy vite më parë, kemi pasur një ngritje të qumështit të papërpunuar 20 deri në 30 për qind. Kjo ka ardhur si nevojë pasi ka pasur ngritje të imputeve bazike për prodhimin e qumështit, mirëpo ajo ngritje nuk është se ka reflektuar shumë të çmimet finale. Çmimet në treg janë rritur diku rreth 10 deri në 15 për qind. Edhe kjo ngritje nuk është te të gjithë, është brenda tregtisë së lirë dhe faktikisht me këto çmime jemi të nivelizuar”, ka thënë Memaj.

Sikurse Memaj edhe Shatri kanë kërkuar nga Ministria e Bujqësisë që t’iu ndihmojnë fermerëve duke subvencionuar qumështin për litër, në mënyrë që të stimulohen të gjithë fermerët, duke qenë përfitues.