Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Ekonomi

Shtrenjtohet mishi, ankohen qytetarët

Mishi

Në treg së fundmi është ngritur çmimi i mishit dhe i produkteve të tij. Sipas, Indeksit të Çmimeve të Prodhimeve dhe Çmimeve në Bujqësi, të publikuar nga Agjencia e Statistikave, brenda një viti është rritur për 4.5 për qind çmimi i kafshëve që mishtoret i blejnë nga fermerët, duke reflektuar edhe në shtrenjtimin e mishit për konsum. E për këtë situatë, ankesa shprehën qytetarët

Çmimi i kafshëve që mishtoret i blejnë nga fermerët është rritur gjatë vitit të shkuar për 4.5 për qind krahasuar me një vit më parë, bazuar në Indeksin e Çmimeve të Prodhimeve dhe Çmimet në Bujqësi, që e publikoi së fundmi Agjencia e Statistikave të Kosovës.

Këto të dhëna treguan se nga viti 2020 e deri më 2025, rritja e çmimit për produkte blegtorale është 53 për qind.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Fermerja Nurije Haklaj thotë se shtrenjtimi i produkteve ushqimore për bagëtitë është reflektuar në rritjen e çmimit të kafshëve që shiten për konsum.

“Ndryshimi është i dukshëm. Për shembull, në vitin 2023 një lopë ka kushtuar rreth 1.500 euro, ndërsa sot çmimi ka arritur deri në 2.500 euro”, ka thënë Haklaj.

Aktualisht, një kilogram mish në treg mund të blihet me çmim prej 13 deri në 16 euro.

Këtë çmim, disa qytetarë e kualifikuan si të lartë për buxhetin e tyre.

“Çmimet e mishit përgjysmë, jam e sigurt që përgjysmë kanë qenë më lirë. Tani, për shembull, diku-diku nuk janë krejt njësoj, dallojnë çmimet. Mirëpo është tepër i lartë çmimi për të ardhurat që kemi, sidomos për pensionistët – 16 euro për 1 kg mish, nuk shkon hiq”, ka thënë qytetarja Esma Morina.

E ekonomisti Visar Vokrri alarmon se ngritja e çmimeve rëndon xhepin e qytetarëve.

“Ngritja e çmimeve në përgjithësi dhe e produkteve ushqimore, në veçanti, manifestohet në mënyrë të menjëhershme në mirëqenien e qytetarëve, duke i rritur kështu kostot e jetesës, ngase të hyrat (pagat) nuk reflektojnë në mënyrë automatike ngritjen e çmimeve, sepse ato përshtaten shumë më ngadalë me ndryshimet në treg”, ka thënë Vokrri.

Në raportin e ASK-së është theksuar se çmimet janë grumbulluar për katër kategori të kafshëve - gjedhe, dele, derra dhe pula. Çmimet e paraqitura në raport, sipas ASK-së, janë kalkuluar sipas standardeve për statistikat e çmimeve të Bashkimit Evropian.

Elsa Mustafa