Drejtori i Institutit “Epik”, Demush Shasha, ka thënë se në Kosovë ekziston një keqkuptim kur flitet për liberalizimin e vizave, duke e menduar atë thjesht si një “vendim”.
Shasha përmes një postimi në Facebook ka thënë se në rastin e Kosovës bëhet fjalë për një çështje totalisht ndryshe nga nisja e negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, apo marrja e statusit të vendit kandidat për Ukrainën apo Bosnjën.
Shasha ka thënë se në rastin e Kosovës, vendimmarrja është legjislative.
“Pra nuk bëhet fjalë për “vendim” politik që mundet mu marr një ditë, por për plotësim ndryshim të një ligji evropian i cili është pjesë e një legjislacioni kompleks ndërkombëtar të ndërtuar nga një mekanizëm edhe më kompleks institucional që përfshinë një autoritet ekzekutiv, 27 qeveri të vendeve anëtare dhe 705 deputetë evropian – të cilët së bashku përbëjnë autoritetetin legjislativ. Tani për të komplikuar këtë edhe më tutje të gjithë këta së bashku ndahen dhe ri-ndahen në qindra parti nacionale dhe dhjetëra grupe pan-evropiane politike. Dhe të gjithë këta së bashku kanë qëndrime të tyre të lira politike. Shpesh të ngjashme, nganjëherë të ndryshme, jo rrallë kundërshtuese”, ka shkruar Shasha.
Ai ka shtuar se lajm i mirë është se sot ka filluar diskutimi për liberalizimin e vizave brenda Këshillit të BE-së dhe se asnjë vend nuk ka qenë kundër.
“Ndërsa sa i përket nevojës për vazhdimin e diskutimit brenda Këshillit: po, patjetër se duhet vazhduar diskutimi se as në Kuvendin Komunal të Rahovecit sot për nesër nuk mund miratohen aktet legjislative, e lëre më në institucionet më demokratike në botë. Problemi nuk është tek ata që respektojnë procedurat e tyre demokratike, problemi është këtu tek ne ku qytetarët të shkret çmenden çdo ditë nga titujt bombastik ku ti thua nesër do të ndodhë liberalizimi i vizave”, është shprehur Shasha.
Edhe
Shasha për vizat: Qeveria mund ta ketë përmbushur një kriter, por jo edhe 94 të tjerë
Në Bruksel, të enjten, për herë të parë është zhvilluar diskutimi në grupin punues të Këshillit të BE-së për liberalizimin e vizave për Kosovën.
Franca, një vend i cili deri më tash më së shumti ka qenë kundër liberalizimit të vizave për Kosovën, kësaj radhe nuk është shprehur kundër, por ka propozuar që liberalizimi i vizave të lidhet me sistemin ETIAS, që është një sistem i ri i vendosur nga BE-ja ku qytetarët e shteteve që kanë liberalizimin e vizave duhet të regjistrohen në këtë sistem para se të udhëtojnw.