Drejtori i Institutit EPIK, Demush Shasha, deklaroi se sistemi ETIAS, i vendosur nga Bashkimi Evropian për qytetarët e shteteve që kanë liberalizim të vizave, ishte keqkuptim për çështjen e Kosovës.
Ai tha në DESKU-n e KTV-së të enjten se ky lloj “kushtëzimi” u keqkuptua dhe se në ditët në vijim do të dilet me sqarime shtesë rreth tij.
Shasha tha se lajmi më i mirë është nisja e diskutimit për liberalizimin e vizave brenda Bashkimit Evropian. Ai tha se është mesazh pozitiv që vendet e BE-së tashmë janë shprehur pro liberalizimit të vizave për qytetarët kosovarë.
“Në këtë drejtim besoj se një skenar më pozitiv për liberalizim është që deri në fund të vitit, të konsumohet vendimmarrja. Brenda Këshillit dhe Parlamentit të kalohen ato hallkat e grupit punues, duke kaluar te ambasadorët dhe ministrat. Nëse kjo konsumohet, do të ishte një super sukses, në mënyrë që në fillim të vitit tjetër të lëvizim pa viza”, tha ai.