Arbëri

Shala: Komunat ta institucionalizojnë auditimin social

Menaxheri i programeve në DEMOS, Drilon Shala, ka thënë se nevojitet institucionalizimi i auditimit social, i cili ka për qëllim përfshirjen e qytetarit në vendimmarrje. 

Të mërkurën në “60 Minuta” të KTV-së, Shala ka thënë se është e nevojshme që komunat të jenë iniciatorë të këtij koncepti. 

“Auditimi social ka qëllim përfshirjen e qytetarit në vendimmarrje. Auditimi social është koncept i ri jo vetëm në Kosovë, por edhe në rajon. Dyert e projektit DEMOS janë gjithmonë të hapura, jemi në diskutime që i gjithë koncepti i auditimit social të mund të institucionalizohet. Idealja do të ishte që vetë komunat të jenë iniciatore të konceptit të tillë, pra ato t’i ftojnë qytetarët sa herë që kanë nevojë për konsultimin me ta direkt. Pra, një formë inovative e konsultimit”, ka thënë ai. 

Sipas Shalës, auditimi social ka treguar hapa pozitivë në përgjigjet që kanë marrë kërkesat e bëra nga gratë. 

“Akoma ka hapësirë për përmirësim, edhe të ngritjes së numrit të qytetarëve në konsultime, por edhe te një buxhetim më i përgjegjshëm gjinor. Auditimi social ka treguar disa hapa pozitivë ku ka pasur kërkesa direkt nga gratë dhe ato kërkesa janë marrë parasysh dhe po konsiderohen tani kur po dizajnohen politika e investime kapitale”, ka thënë ai. 

Sipas DEMOS-it, në Kosovë komunat me Ligjin për Vetëqeverisje Lokale janë të obliguara që të informojnë dhe angazhojnë qytetarët dhe organizatat e interesuara për planet, projektet dhe aktivitetet me interes publik. Kjo ka për qëllim të nxisë pjesëmarrjen dhe ndikimin qytetar.