Kryetari i Komisionit për Ekonomi, Ferat Shala, ka thënë se duhet të ngritët një komision hetimor parlamentar, për mënyrën e llogaritjes së tarifave të reja të rrymës nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRRE).
Shala ka thënë në “Java Sonte me Rronin” në KTV se ky komision do të duhej të formohej vetëm për ta nxjerrë në pah të vërtetën, teksa ka shtuar se në mbledhjen e Komisionit për Ekonomi, ku eksperti financiar, Florin Aliu dha argumente shkencore për gabimet në kalkulime të ZRRE-së, nuk u arrit ndonjë vendimmarrje, pasi disa deputetë të Lëvizjes Vetëvendosje ishin larguar nga takimi.
“Një pjesë e lëvizjes VV u largua nga takimi dhe ne nuk kishim kuorum për të vazhduar me vendimmarrje. Në takimin e radhës do të kthejmë këtë çështje. E rëndësishme është që gjithçka ka qenë transparente, dhe kemi pasur një unifikim të qëndrimeve që praktikisht ka lëshime në metodologji dhe kalkulime por ka edhe gabime të rënda në ndarjen dhe ngarkesën e disa kategorive të taksapaguesve që paguajnë për të tjerët. Kjo është pjesë e procesit, për mua nuk ka përfunduar si proces. Ne si pjesë e opozitës do të ndjekim rrugët ligjore, pres që do të duhej ngritët një komision hetimor parlamentar, pa të keqen e askujt, për të nxjerrë vetëm të vërtetën në shesh”, ka thënë Shala.
Ai ka bërë të ditur se ZRRE-ja në këtë takim nuk kishte argumente, dhe siç ka thënë, veprimet e saj të paligjshme u mundua t’i arsyetojë me elaborime të thata.
“Ishte një argumentim shkencor për gabimet, metodologjinë dhe mënyrën e kalkulimit të tarifave që në mënyrë shkencore profesori e elaboroj shumë mirë që praktikisht nuk morën përgjigjet e dëshiruara dhe të nevojshme për qytetarët dhe vendin ngas përfaqësuesit e ZRRE-së. ZRRE-ja nuk pat argumente, u mundua me elaborime të thata të arsyetojë një veprim të paligjshëm, dhe të pabazë shkencorë dhe ekonomike e sociale, ndërkaq argumentet e profesorit ishin të qarta, të gjitha, ku me formula, me metodologji elaborime, me përvoja vendore e ndërkombëtare duke ofruar ekspertizën e tij jo për këtë rast, na befasoi për të mirë me argumentet shkencore dhe elaborimin e tij që ne duhet ta ndryshojmë këtë qasje dhe këtë metodologji të ngarkesës së qytetarëve tanë”, është shprehur Shala.
Ndërkohë i pyetur rreth mundësisë së angazhimit të ekspertëve për këtë çështje, ai ka thënë se mundësitë buxhetore të Komisionit janë të limituara për ta bërë këtë.
Bordi i ZRRE-së ka miratuar më 8 shkurt tarifat e reja të energjisë elektrike. Sipas këtij vendimi, blloku zhvendoset nga 600 kWh sa ishte propozuar më parë, në 800 kWh, me dy tarifa prej 12.5 centë dhe 5.9 centë. Ndërkaq, për ata që nuk e kalojnë bllokun prej 800 kWh, nuk do të ketë ndryshime të tarifave.