Arbëri

ZRRE-ja s’luan nga propozimi për ngritje të çmimit të energjisë

Zyra e Rregullatorit për Energji të martën ka raportuar para Komisionit Parlamentar për Ekonomi në lidhje me bllok-tarifat e propozuara për shtrenjtimin e rrymës. Ndonëse deputetë patën disa propozime, nga ZRRE-ja thanë se vështirë që mund të merren parasysh. Sipas ZRRE-së, propozimet e tyre kanë qenë më të mirat që kanë mund të nxjerrin në këtë krizë energjetike.

Lidhur me shqyrtimin e jashtëzakonshëm të tarifave të energjisë elektrike, Zyra e Rregullatorit të Energjisë ka raportuar para komisionit për Ekonomi.

Në këtë raportim, anëtarët e Komisionit i vunë në dyshim shifrat e ZRRE-së dhe kalkulimet që ka bërë në vendosjen e pragut për shtrenjtim.

“Pse 600kW është vendosur kufiri, mbi çfarë kalkulimi?” ka pyetur deputetja e VV-së, Mimoza Kusari-Lila.

Deputetët e opozitës e akuzuan ZRRE-në se raportin me propozimin për shtrenjtim të rrymës ia ka përgatitur Qeveria.

“Nuk i ke marrë vendimet e pavarura, sepse në raport na e ka sjellë kalkulimin qeveritar, projektin qeveritar. Nuk është i juaji. Do të ishte mirë të na sjellin një raport të ZRRE-së”, ka thënë Ferat Shala, deputet i PDK-së.

“Nuk e di se si keni arritur të lejoni Qeverinë që të ndikojë dhe në anën tjetër janë deputetët e pushtetit këtu që bëjnë pyetje provokative para kamerave”, ka deklaruar deputeti i LDK-së, Besian Mustafa.

“Asnjë shkronjë qeveria nuk e ka shkruar dhe nuk ka pasur asnjë ndikim në këtë raport. Do të jem maksimalisht i përkushtuar që ZRRE të vazhdojë të jetë e pavarur”, është përgjigjur Ymer Fejzullahu, kryesues i Bordit të ZRRE-së.

Në këtë raportim, kryesuesi i ZRRE-së, Ymer Fejzullahu, bëri të ditur se nuk do të shtrenjtohet rryma në katër komunat veriore me shumicë serbe, për shkak të një procesi gjyqësor lidhur me këtë çështje.

Në Komision, deputetët diskutuan edhe për rezolutën për mos-shtrenjtim të rrymës, e cila pritet të votohet të mërkurën në parlament, por nga LVV-ja thanë se nuk do t’i japin mbështetje.

Por, edhe nëse kjo rezolutë do të kalojë, nuk do të ketë ndikim në propozimin për shtrenjtim.

Komisioni ka mbetur të përpilojë rekomandimet e tij ashtu si edhe Qeveria e Kosovës, të cilat duhet t’i dorëzojnë para datës 28 janar.

“Ne do të dërgojmë komentet tona, Zyra e Rregullatorit të Energjisë është institucion i pavarur shtetëror, ta zëmë unë nuk e kam numrin e telefonit të kryesuesit të bordit, mirëpo ministrat e linjës shpresoj edhe nga Kuvendi i Republikës do t'i dërgojnë sa më parë komentet në mënyrë që bordi i ZRrE-së, bazuar në raportin e vet t'i trajtojë dhe sugjerimet e të tjerëve”, ka thënë kryeministri Albin Kurti.

Kundër shtrenjtimit të rrymës ka dalë edhe Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut, i cili ka kërkuar nga Qeveria dhe deputetët që të gjejnë një zgjidhje të pranueshme.

Nga deputetët e LVV-së u propozua të rritet kufiri i shpenzimeve pa shtrenjtim deri në 800 kw dhe të aplikohet tarifa e ulët çdo ditë prej orës 14:00 deri në orën 16:00 si dhe të dielën gjatë gjithë ditës.

Por, kjo u vlerësua si vështirë e mundur nga deklarimet e Fejzullahut.