Arbëri

Shala: Instancat shtetërore kanë rënë nga provimi në rastin e Deçanit

Kryetari i Komisionit për Ekonomi në Kuvendin e Kosovës, Ferat Shala, ka thënë se instancat shtetërore kanë rënë nga provimi në rastin e helmimit në Deçan.

Sipas tij, dështimi ka ndodhur duke nisur nga kryeministri e deri te niveli më i ulët menaxherial.

“Është shqetësuese neglizhenca, vonesa e instancave zyrtare që e kanë përgjegjësi që të jenë në gatishmëri sepse në secilin shtet mund të ndodhin fatkeqësi të ndryshme, raste të krizave dhe shteti, instancat e sigurisë, dhe emergjencës duhet të jenë të gatshme për të vepruar, gjë që nuk është treguar në rastin e Deçanit. Instancat shtetërore kanë rënë nga provimi në rastin e Deçanit, që nga ministri e deri te niveli më i ulët menaxherial”, ka thënë Shala në Interaktiv të KTV-së.

Sipas tij, Ministria e Ekonomisë ka njësi brenda saj që menaxhon me ndërmarrjet publike, ekipet dhe rregullatorin e trupat inspektuese të cilat po ashtu kanë pasur një reagim shumë të ngathët.

“Kemi pasur një shthurje totale të instancave përjashto pushtetin lokal”, është shprehur Shala.