Gazetari i KOHËS Shaban Maxharraj, ka fituar çmimin “Rexhai Surroi” për gazetari.
Ai këtë çmim e mori për shkrimin me titull, "Restaurimi pa leje i Manastirit të Banjskës me para të 'Crvena Zvezdas'”.
Shkrimi flet për ndërhyrjet e shumëfishta pa leje në Manastirin e Banjskës dhe se si në dy dekadat e fundit janë kryer së paku tri sosh.
Gazetari i kulturës, Maxharraj me këtë rast ka thënë se përtej një çmimi për një tekst, ky është më shumë një çmim për gazetarinë e kulturës dhe trashëgimisë kulturore.
“Në këtë aspekt nuk është aspak habi pasi kompania mediale KOHA ka kohë që i ka vënë një çmim edhe më të madh kulturës dhe trashëgimisë kulturore, duke qenë i vetmi medium me një redaksi të plotë të kulturës jo vetëm në Kosovë”, ka theksuar Maxharraj.
Edhe
“Rexhai Surroi” për raportimin mbi cenimin e trashëgimisë kulturore dhe veprën me historitë e shekullit 20
Kurse romani “Rrëfime të shkurtra për një ditë të gjatë” i autorit Enver Robelli e ka marrë çmimin “Rexhai Surroi” për letërsi.
Për këtë çmim sivjet kishin konkurrurar 18 autorë.
Robelli ka thënë se ngrohtësia dhe dashamirësia që i kanë dhënë lexuesit për librin në promovime nëpër qytete të ndryshme evropiane hyn në përvojat më të çmuara të jetës së tij. “Këtë mirënjohje e ndaj me lexuesit e mi”, është shprehur ai.
Përurohet libri “Ishte luftë” i autores Flaka Surroi
Në ceremoninë e ndarjes së çmimeve “Rexhai Surroi” është përuruar edhe libri “Ishte luftë”, i autores Flaka Surroi.
Surroi me këtë rast ka thënë se jo të gjitha përjetimet e luftës kanë zënë vend në librin e saj, për shkak se ka thënë se ato janë përsëritur vazhdimisht.
“Të gjitha përjetimet nuk kanë zënë vend në këtë libër për shkak se një pjesë e tyre ishte përsëritje e asaj që kishim parë e dëgjuar një ditë a një javë më herët sepse dhuna e ushtruar nga policia dhe ushtria dhe paramilitarët serbë ishte sistematike dhe me plan të qartë: frikësimi, vrasja, plagosja, dhunimi, dëbimi, djegia, shkatërrimi. Thuajse gjithmonë pa përjashtim objektet e para që digjeshin ishin shkollat dhe ambulancat”, është shprehur Surroi.
Edhe
Sot ndahen shpërblimet vjetore për gazetari dhe letërsi “Rexhai Surroi”
Ajo ka thënë se ishin pajtuar me faktin se çdo dalje në terren gjatë luftës mund të rezultonte me moskthim në shtëpi.
“Secila dalje në terren përbënte rrezik që nga dita e parë kur nisëm të dalim ishim pajtuar me faktin se mund edhe të mos ktheheshim në shtëpi. Armë nuk kishim por ishim të armatosur me vullnetin për krejt çka kishim në duar për t’ju ofruar përkrahje atyre që i vuanin pasojat e sadizmit fashist serb”, ka theksuar Surroi.
Ajo ka folur edhe për shqiptarët që gjatë luftës nuk kanë luftuar me armë, por kanë qenë të gatshëm t’i ndihmojnë të tjerët.
“Ky libër flet për heronjtë që këtë luftë nuk e luftuan me armë dhe në këtë grup nuk i përfshijnë rreth 100 shqiptarët që punonin në organizatat ndërkombëtare për shkak se ky punësim u ofronte një lloj mbrojtjeje në terren. Heronjtë e këtij libri ndonjëherë edhe nuk kanë emër pasi nuk ua kam shkruar për shkak se nuk ekzistojnë. Janë njerëz që u përkushtuan me gjithë qenien që të mbërrinin kudo për të ofruar ndihmë e për ta përkrahur popullatën e katandisur, janë njerëz që u lanë nën hije pas luftës pasi qëllimin nuk e kishin tek pushteti, por tek jeta me ndërgjegjeje të pastër”, ka theksuar Surroi.
Për këtë libër ka folur edhe redaktori i tij, Granit Kurti, i cili është edhe ndihmëskryeredaktor dhe redaktor i kulturës në grupin KOHA.
“Ka qenë marsi i këtij viti kur ‘Ishte luftë’ nisi të shkruhej, Flaka Surroi do t’i jepte fund refuzimit estetik të harresës si një kontrapunkt ndaj asaj që bëmë si shoqëri, e harruam luftën. Ishte algoritmi i saj për të mos harruar detaje, data, emra njerëzish, ngjarje, rrugë e fshatra, duhet të ketë qenë beteja e saj me vetveten për 25 vjet derisa kutia u hap siç titullohet fjala hyrëse e librit. Në fjalën hyrëse po ashtu thuhet se ishte me fat që e mbijetoi luftën dhe se në çerekshekulli prej saj nuk e lëshoi kujtesa. Sot, ne jemi me fat që vendosi të hapë kutinë e ta ndaj me ne, të mos harrojmë se ishte luftë. Por, nuk janë veç kujtimet e saj, janë rrëfimet që gjejnë emërues të përbashkët në kujtesën kolektive që ndjekin maksimën që çdo gjë e pashkruar nuk ka ndodhur”, është shprehur Kurti.
Edhe
“Rexhai Surroi” për peshën dhe përgjegjësinë e fjalës së shkruar
Kurti ka thënë se në këtë libër “shfletohet një kapitull i jetës sonë”.
“’Ishte luftë’ është pikërisht për këtë dhe nuk do t’ju flas për numrin e faqeve, kapitujve, dramave e paradokseve që do t’i zbardhni me të sepse në libër shfletohet një kapitull i jetës sonë. “Ishte luftë” ka mundur të shkruhej edhe më herët, nuk është shkruar dhe heshtja për shkruarjen e saj nëpër terren ia rrit peshën dhe nuk kërkon kthim borxhi e as njohje për të krejt çfarë bëri ishte privilegj i udhëhequr nga ndërgjegjja”, është shprehur ai.
