Florina Krasniqi nga fshati Meqë e Gjakovës ka diplomuar para dy vjetësh në Ekonomi, por nuk ka arritur të gjejë një vend pune për atë që është kualifikuar. Ka provuar disa herë, pa sukses. Ka bërë edhe disa trajnime në ndërkohë për të ngritur aftësitë dhe mundësitë në tregun e punës, por ka qenë e kotë. Numri i ekonomistëve të diplomuar është enorm në Kosovë, përfshirë edhe në Gjakovë.
Para rreth një muaji Florina është regjistruar në Zyrën e Punësimit në Gjakovë dhe pret që ëndrra e saj për punësim t'i bëhet realitet.
"Pasi jam paraqitur në zyrën e punësimit po pres vërtetë të punësohem, kam besim se kjo do të ndodhë", ka thënë Krasniqi për KOHËN.
Pikërisht nga Zyra Komunale e Punësimit në Gjakovë e ka pasur fatin të punësohet juristja Egnita Hadri, nga Skivjani i Gjakovës.
Pas rreth një viti pritjeje në këtë zyrë Hadri para rreth dy muajve është punësuar si asistente në një zyrë avokatie dhe është e kënaqur me punën që bën. Ajo ka treguar për KOHËN se gjatë pritjes për punësim është angazhuar edhe në trajnime të ndryshme, të cilat e kanë ndihmuar në ngritjen profesionale. Megjithatë ajo nuk ka ndonjë kontratë të përhershme dhe sfida e punësimit të qëndrueshëm mbetet në agjendën e jetës së saj.
Sfida e punësimit të personave që paraqiten në zyrat komunale të punësimit, është objektiv i vazhdueshëm i zyrtarëve të këtyre zyrave.
Dula udhëheqës i Zyrës së Punësimit për Rajonin e Gjakovës, ka bërë me dije në një bisedë për KOHËN se zyrtarët e punësimit janë në kontakte të vazhdueshme me punëdhënësit e regjistruar, ndërkohë që ata bëjnë çdo ditë edhe punë tereni në hulumtim të tregut të punës nëpër kompani të ndryshme. Zyrat e punësimit në kuadër të angazhimit për punësimin e punëkërkuesve kontribuojnë edhe me subvencionim të pagës, ndërkaq e financojnë edhe pjesën më të madhe të praktikës së punës për punëkërkuesit.
Dula thotë se një problematikë e punësimit është mungesa e kualifikimit adekuat te shumë punëkërkues.
"Kemi raste kur nuk mund t'i plotësojmë kërkesat e punëdhënësve ngase nuk kemi profile të kualifikuara që i kërkojnë nevojat e punëdhënësve", ka theksuar Dula.
Ai sheh një zgjidhje për këtë tematikë.
"Mendoj se duhet forcuar shkollat profesionale, të hapen drejtime të reja në bazë të nevojave të tregut të punës, kjo arrihet me një bashkëpunim në mes të akterëve lokal Komunë-Drejtori e Arsimit-Zyrë e Punësimit."
Përndryshe, Dula ka tërhequr vërejtjen se "do të ketë mungesë çdo ditë e më shumë të fuqisë punëtore të kualifikuar dhe kërkesat e punëdhënësve për t'i plotësuar nevojat e tyre do të jenë shumë të mëdha".
"Është e nevojshme që në shkolla të futet edhe Orientimi në Karrierë sepse do të fuqizohen nxënësit të zgjedhin drejtime që të jenë më afër gjetjes së një vendi të qëndrueshëm të punës. Kjo arrihet duke ndjekur dhe përfunduar shkolla profesionale dhe duke e zbatuar mësimin DUAL-Shkollë(mësim teorik)-Praktikë", është shprehur Dula.
Ndryshe nga fillimi i këtij viti, e deri më 17 nëntor në Zyrën e Punësimit në Komunën e Gjakovës, sipas Dulës kanë qenë në pritje për punësim 6 mijë e 161 persona. Gjatë kësaj periudhe në mënyrë të rregullt nga Zyra e Punësimit janë punësuar 202 persona, ndërkaq përmes praktikës në punë dhe projekteve të ndryshme, edhe 159 të tjerë, gjithsejtë, 361 persona. Dula, ka bërë me dije se gjendje e përafërt është edhe në komunat tjera të Rajonit të Gjakovës, ndërkohë që ky rajon sipas tij qëndron më së miri në shkallë vendi në aspektin e punësimit të punëkërkuesve që janë në pritje të një vendi pune.