Arbëri

Serwer: Vuçiqi s’do t’i normalizojë marrëdhëniet me Kosovën, Perëndimi ta ndryshojë qasjen

Foto: Koha

Analisti amerikan dhe eksperti për çështje të Ballkanit, Daniel Serwer, ka thënë se sulmi i të dielës në veri të Kosovës është konfirmim se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, nuk e ka ndërmend t’i normalizojë marrëdhëniet me Kosovën.

Profesori i Universitetit “John Hopkins” në një vështrim në faqen e tij “Peacefare.net” ka thënë se Vuçiqi po e përdor dialogun vetëm si mbulesë për qëllimin e tij të vërtetë, e që sipas Serwer, është “aneksimi i katër komunave në veri të Kosovës”.

“Ky incident është konfirmim se Vuçiqi nuk e ka ndërmend t’i normalizojë marrëdhëniet me Kosovën. Dialogu Beograd – Prishtinë është mbulesë për qëllimin e tij të vërtetë. Ai dëshiron ndarjen e katër komunave veriore me shumicë serbe. Ai do të preferonte ndarjen de jure dhe shpreson se suksesi rus në aneksimin e pjesëve të Ukrainës do ta bëjë të mundshme këtë objektivë. Por, ai do të pajtohet për momentin, për qeverise të ndarë de facto, në formë të një Asociacioni të komunave me shumicë serbe”, tha Serwer.

Serwer ka thënë se Kosova ka dëshmuar se Policia e saj mund ta përballojë, me mbështetje të NATO-s, një grup të armatosur rëndë prej disa dhjetëra militantëve.

“Por është po aq e qartë se forcat e armatosura serbe mund të futen me lehtësi në Kosovë. Është më pak se 25 milje, ndoshta një orë me tank, nga pikëkalimi më i afërt kufitar deri në veri të Mitrovicës”, tha ish-diplomati amerikan. “Diplomatët amerikanë dhe evropianë mendojnë se Serbia nuk do ta tentojë një veprim të tillë për shkak të pasojave politike. Por Vuçiqi e di këtë më mirë. Ai po përpiqet ta bindë botën se po bëhet spastrim etnik në Kosovë”.

Serwer tha se Vuçiqi mund ta përdorë këtë “kartë kinse të spastrimit etnik” për t’i futur tanket në Kosovë.

Serwer e ka vlerësuar përgjigjen e Perëndimit si shumë të dobët. Ka thënë se në një mënyrë po barazohet “performanca e shkëlqyer e policisë së Kosovës me një kryengritje ilegale të armatosur”.

“Brukseli e Washingtoni u kanë bërë thirrje ‘të dyja palëve’ që ta parandalojnë dhunën dhe përshkallëzimin e mëtejshëm. Kjo në një mënyrë barazon performancën e shkëlqyer të policisë së Kosovës me një kryengritje ilegale të armatosur që mund të kishte shkaktuar destabilitet në mbarë Ballkanin. Ata janë përgjegjës për politikën ballkanike në të dy kryeqendrat, nuk janë të gatshëm ta pranojnë dështimin në tentimin për ta tërhequr Serbinë nga perëndimi. Në vend të kësaj, ata vetëm po kërkojnë kthim të shpejtë në dialog”, tha Serwer.

Eksperti amerikan për Ballkanin ka thënë se duhet qasje e re e Perëndimit, ku duhet t’i bëhet e qartë Serbisë se ka përfunduar “epoka e qetësimit”.

“Nëse Beogradin dëshiron anëtarësimi në BE atëherë Serbia duhet të: arrestojë dhe dorëzojë terroristët tek autoritetet e Kosovës, të heqë dorë nga insistimi për një qeverisje të veçantë për serbët në Kosovë, t’i vë sanksione Rusisë. Ta përkrahë anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare, përfshirë OKB. Nëse Beogradi refuzon, atëherë BE-ja duhet të njoftojë për ngrirje të bisedimeve për pranim. SHBA-ja duhet ta ndalojë bashkëpunimin ushtarak me Serbinë. Washingtoni e BE-ja duhet gjithashtu të përgatiten për ta nxitur Prishtinën që të kontaktojë serbët e veriut për të gjetur alternativë ndaj Listës Serbe. Prishtina duhet të përpiqet të sigurojë të mos ketë incidente anti-serbe në Kosovë, që të zhvlerësojë pretendimet e Vuçiqit për spastrim etnik. Duhet të hetojë menjëherë çdo incident të ndodhur e gjykatat të japin dënime të merituara. Është koha për ta rikonfiguruar politikën perëndimore për Serbinë dhe Kosovën”, ka shkruar Serwer.