Tre rrëfime - Libia, Polonia dhe Kosova - nga gjahu i ujkut në mjegull. Apo Gjarprit
1.
Ja tre rrëfime të ngjashme nga vende të ndryshme. Njëri është nga Libia, tjetri nga Polonia dhe i treti nga Kosova. Që të tria janë rrëfime të veprimeve për përfitime politike në kohë të koronavirusit apo, siç do të tregohej në përrallat tona, të gëzimit të ujkut në mjegull. Gjegjësisht Gjarprit.
2.
E pashë sot një fotografi, një aso për ta mbajtur mend gjatë.
Është e një luftëtari libian të njërës prej palëve të luftës qytetare që po zhvillohet atje prej pranverës së vitit të kaluar. Në dorë ka kallashnikovin, është i kërrusur në kujdesin prej plumbave që mund të vijnë nga andej, prej kundërshtarit. Fytyrën e ka të mbuluar me maskë mjekësore, aso që duhet ta mbrojë nga koronavirusi që nuk di se nga i vjen.
Më duket skenë nga aso të teatrit të absurdit. Një njeri i cili ka gjasa të mëdha të vritet nga plumbi i kallashit të kundërshtarit, predha e minahedhësit nga ana tjetër, apo bombardimi i aeroplanëve luftarakë - që të gjitha në arsenalin e përdorur në luftën qytetare libiane - ka filluar të frikësohet se më përpara do ta zërë koronavirusi.
Në artikullin e “The New York Times”, ku shoh këtë fotografi, ka edhe të tjera të një rrëfimi ku shihen gjeneralë e ushtarë, që të gjithë me maska kirurgjikale, duke u nisur në ofensivë vrasëse ndaj kundërshtarit. Prejse doli i infektuari i parë në mars, shpjegohet, është rritur niveli i sulmeve të palës kryengritëse kundër pushtetit të njohur ndërkombëtarisht me seli në Tripoli. Hidhen predha, ka bombardime të pandërprera artilerie, gjuajtje kallashi kundër caqeve ushtarake dhe civile, përfshirë edhe spitalet, madje edhe atij të përgatitur për ta luftuar COVID-19.
Artikullin e plotë mund ta lexoni në gazetën Koha Ditore. Klikoni këtu për t’u regjistruar falas.