Për teoritë konspirative me të cilat komshiu im ushqehet, për virusin dhe meseletë që shiten si hallvë, për gazetarinë në rrjet dhe për fatin e demokracisë. Për vaksinën dhe gazetën e “intubuar”
Është arritje të mos kthehesh në viktimë të komshiut tim. Me plot “kompetencë” t’i transmeton gjërat që i lexon në celularin e tij dhe, për të qenë sa më bindës, të bën be e rrëfe për vërtetësinë e asaj që ta thotë.
Rituali është i njëjtë: Fillimisht të pyet se çfarë po ndodh me filan ngjarjen a fenomenin. Përderisa nis dhe ia ofron versionin e mbështetur në faktet që i di, i shfaqet në fytyrë një buzëqeshje që shëmbëllen dyshim. Të ndërpret dhe gjithmonë e ka përgjigjen e njëjtë: “Jo. Ju gazetarët po i mshefni gjanat”.
Pastaj ia nis ta rrëfejë “të vërtetën” për atë që vetë të pyet.
Kur u shfaq pandemia ai i vuri pikë rrugës se si është shpërndarë virusi: “Kina e lëshoi, se Trampi donte me ia shkatërru ekonominë”. Me kalimin e muajve, nga ai dëgjon edhe nja 100 versione të tjera që i gjen në rrjete sociale, algoritmet e të cilave janë dizajnuar asisoj që të të ushqejnë me përmbajtjet, të cilat t’i i kërkon: lexon a shikon një teori konspirative, një lajm të rremë a sensacional e të shfaqet menjëherë tjetri. Dhe, sa më shumë që klikon në to, lumi me të tilla informata bëhet më i vrullshëm. Dikur rrjedha të gjuan mes detit a oqeanit përplot informata të kësollojshme, tek të cilat më s’di ta dallosh faktin nga opinioni e as të vërtetën nga gënjeshtra.
Për komshiun, fillimisht ishte punë e kryer që virusin qëllimshëm e lëshoi Kina, në shenjë hakmarrjeje ndaj Shteteve të Bashkuara. Pastaj bëri një hap tutje – kishte lexuar se virusi aksidentalisht doli nga një laborator në Wuhan. Më vonë e “kuptoi” që shtetet ishin marrë vesh që me një rrugë t’i kryenin dy punë: virusin e kishin koduar për t’i mbytur pleqtë, se qenkan barrë për buxhetin, e krahas kësaj e kishin krijuar edhe për ta mbrojtur njerëzimin nga ngrohja globale, meqë masat restriktive të mbylljes ulnin aktivitetin ekonomik, që qëllim final kishte rënien e ndotjes. Së fundmi, e lidhi simbolin e iluminatit me shkronjat, të cilat përbëjnë dy variantet e fundit të virusit që shkakton pandeminë: me formën piramidale të shkronjës Delta dhe me simbolin në formë syri të shkronjës Omicron.
Edhe Variantet e viruseve të KosovësKosova dhe rajoni ynë përbëjnë tokë pjellore për mesele sikur këto, prandaj të tillat në pandemi shkuan si hallvë. Kryesisht u bënë virale në rrjete sociale, meqë në mungesë filtrash aty poston kush çfarë të dojë. U gjetën edhe në jo pak portale, sepse histori sikur këto përbëjnë karrem për klikime.
Një hulumtim i Grupit Këshillimor të Politikave “Ballkani në Evropë” (BiEPAG) gjeti se në Kosovë 47 për qind e popullsisë me arsim të mesëm besojnë se industria farmaceutike po e përhap virusin, krahasuar me vetëm 22.2 për qind të atyre me arsim fillor. Kjo përbën treguesin se teoritë konspirative janë rrënjosur thellë në të gjitha shtresat e shoqërisë.
Kuptueshëm, këto histori nuk u morën në gazeta. Me të mbërritur virusi gazeta ishte ajo që u godit më së rëndi. Masat restriktive të vendosura në fillim të marsit të 2020-s bënë që rrjeti i shpërndarjes të paralizohej. Makinat e shtypshkronjave u fikën e shkronjat pushuan. “KOHA Ditore” nuk doli në letër prej atëherë.
Nga shtandi i dyqaneve e kioskave u zhvendosën në ekranet e kompjuterëve dhe celularëve, nga të cilët s’depërton dot aroma e shenjtërisë së gazetës. Ajo rri brenda ekranit, tamam si ai pacienti i intubuar e në prag vdekjeje, i shtrirë mes kabllosh dhe që jetën e ka të varur nga një tub që i çon mekanikisht oksigjen.
Një gazetë e gjallë është një gazetë në letër!
Dhe, po: gazeta është gazetaria!
Në të ka lajme e hierarki lajmesh, ka fakte e kontrollim faktesh, ka hulumtime të thella e të hollësishme, ka tregim. Edhe ajo që raportohet, qëndron e pandryshuar përjetësisht. Prandaj, përgjegjësia për atë që e vë në letër është shumëfish më e lartë sesa në cilëndo medie. Sepse, ndryshe nga rrjeti, televizioni e radio, ajo që botohet nuk ndryshohet dot. Nuk zhduket. Së këndejmi, kuptueshëm që histori të sajuara, sikur ato që na i rrëfen plot vetëbesim komshiu, nuk mund t’i gjesh në gazetë.
Në shtetin e vetëm ku nuk gjen gazetë të shtypur, gjen ikona të besnikërisë ndaj saj.
Edhe Viti i varianteve të rejaLiridoni, një mik imi, ka blerë një printer kolor që shtyp faqet në madhësinë A3, ekskluzivisht për t’i qitur në letër dy gazetat e vetme në Kosovë që ofrohen në versionin PDF. Sepse, ai ka trashëguar një shprehi – kafeja e mëngjesit nuk pihet dot ndryshe, përpos duke e shfletuar shtypin ditor dhe duke u informuar prej tij.
Por, demografia na alarmon se numërimi së prapthi ka nisur. Kosova përbën vendin me popullatën më të re në Evropë dhe shumë të rinj, përfshirë studentët e gazetarisë, mund të mos kenë parë kurrë gazetë. Në rastin më të mirë mund ta kenë në dorë këtë numër festiv të KOHËS.
Sapo brezi i ri ta marrë komandën, gazetat do të mbarojnë, është paralajmërimi i profesorit Andrey Mir, i cili ka shkaktuar tërmet tek elitat e gazetarisë, me studimin e lansuar vitin e shkuar, në të cilin vdekjen e gazetës e sheh më së largu në fundin e viteve 2030.
Filipidi ishte ai reporteri i parë, kur diku 2 510 vjet nga tash, pati vrapuar drejt Athinës për ta dhënë lajmin e fitores së grekëve kundër persianëve, në fushën e Maratonës. Prej atëherë vrapi për ta shpërndarë lajmin nuk është ndalur e gazeta ka luajtur rolin më të madh në këtë mision.
Në shekullin e ri nevoja për të vërtetën është më e madhe dhe jo më e vogël, sepse është shumë më e madhe mundësia për të ndërtuar informacione të rreme, tërheq vërejtjen studiuesi Bill Kovach.
E informata e rreme, përpos gazetarisë, mund ta mbysë edhe demokracinë. Prova të kësaj veç janë parë. Në vitin 2016 miliarderi Donald Trump u zgjodh president i Shteteve të Bashkuara dhe shumë vrojtues përfunduan se e shënoi këtë arritje falë lajmeve të rreme, përhapja e të cilave nuk u bë pa futur jo pak kapital.
“La Gazzetta” – nga e ka marrë emrin gazeta dhe derivatet gazetar e gazetari – ishte ai buletini me lajme të ditës që dilte në Venecie, dhe njëkohësisht ishte emri i monedhës sa kushtonte ky buletin. Monedha ka vite që ka ikur në internet. Prandaj, gazeta ka pësuar rënien.
Edhe GazetaNë rrjet është edhe ai oqeani nga i cili konsumon informatat për virusin komshiu im. Edhe tash kur vaksinat për imunizim janë zbuluar, shumë njerëz refuzojnë t’i marrin, të ndikuar nga lajme të rreme e teori konspirative. Komshiu s’do ta merrte po të mos i kushtëzohej me vijimin në punë. Sa e sa historitë m’i ka treguar me vaksinën – nga çipët e Bill Gates që “po i fusnim” në organizëm nëpërmjet vaksinave, deri tek kthimi i trupit tonë në magnet.
Për më pak njerëz të dezinformuar si komshiu im, për më pak lajme të rreme e teori konspirative, për shpëtimin e demokracisë e për mbajtjen në jetë të gazetarisë, duhet gjetur një “vaksinë” që e nxjerr gazetën nga “intubimi”. Deri tek ai moment: Gëzuar!