E ashtuquajtura Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë ka pretenduar se me urdhër të kryeministrit në detyrë Albin Kurti, është dëbuar edhe një qytetar serb nga territori i Kosovës. Sipas tyre, bëhet fjalë për Aleksandar S., 34-vjeçar nga Brezovica, i punësuar në Ministrinë e Punëve të Brendshme të Serbisë.
Sipas njoftimit të kësaj zyre, Aleksandar S. është ndaluar të martën pasdite në pikën kufitare në Han të Elezit, në momentin kur po kthehej në Kosovë nga Maqedonia e Veriut. Siç pretendon zyra, ai aktualisht ndodhet në Serbi.
“Me të njëjtin mekanizëm që Prishtina ka zbatuar gjatë dy javëve të fundit, Aleksandar është dëbuar nga Kosova. Ai është polici serb i 11 që dëbohet në mënyrë të njëanshme, të paligjshme dhe të paarsyeshme nga vendbanimi i tij”, thuhet në reagimin e kësaj zyre.
Po ashtu, autoritetet serbe pretendojnë se po vazhdon një “politikë e ndjekjes sistematike ndaj policëve serbë në Kosovë”, duke u mohuar atyre të drejtat themelore të njeriut që, sipas tyre, janë të garantuara me konventa ndërkombëtare. Ata gjithashtu kritikojnë misionet ndërkombëtare, të cilat sipas tyre nuk po ndërmarrin masa për mbrojtjen e të drejtave të serbëve në Kosovë.
Në fund, Zyra e Serbisë për Kosovën akuzon Kurtin për “politikë terrori, ndjekjeje dhe hakmarrjeje ndaj popullit serb në Kosovë”, duke e cilësuar si një “politikë të spastrimit etnik dhe përshkallëzimit të tensioneve”, në vend të përkushtimit për dialog dhe normalizim të marrëdhënieve.
Edhe para rreth 10-ditësh, Serbia pati pretenduar se Kosova i ka ndaluar tre pjesëtarë të MPB-së serbe dhe një ish-polic. E autoritetet në Kosovë patën konfirmuar se vetëm një pjesëtari të MPB-së, Nikolla Vujoviqit, ia kanë revokuar shtetësinë dhe kanë nisur procedurat për dëbim.
KOHA ka kontaktuar me Ministrinë e Brendshme të Kosovës për detaje të tjera. Posa të ketë përgjigje, artikulli do të përditësohet.