Arbëri

Serbia thotë se Kosova ka ndaluar tre pjesëtarë të MPB-së serbe dhe një ish-polic

Njëri prej tyre, siç thotë Petkoviqi, është ndaluar në pikën kufitare në Jarinje (në foto)

Drejtori i të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, të shtunën ka pretenduar se autoritetet në Prishtinë, me urdhër të drejtpërdrejtë të kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, kanë ndaluar tre pjesëtarë të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë dhe një ish-polic në pikat kufitare gjatë natës dhe mëngjesit të sotëm.

Sipas Petkoviqit, ndalimet janë bërë pa asnjë bazë ligjore dhe përbëjnë hakmarrje politike ndaj serbëve.

Ai theksoi se të ndaluarit dhe familjet e tyre jetojnë prej vitesh në Kosovë dhe ushtrojnë detyrat e tyre nëpër njësitë policore në territorin e Serbisë.

Aktualisht, siç thotë Petkoviqi, ata janë në paraburgim, ndërsa “Zyra për Kosovën do t’u sigurojë ndihmë juridike dhe do t’i informojë përmes kanaleve diplomatike përfaqësuesit ndërkombëtarë dhe ndërmjetësin në dialog, Peter Sorensen, për këtë veprim të paligjshëm”.

Në njoftimin e Zyrës për Kosovën përmenden vetëm inicialet e të ndaluarve dhe pikat kufitare ku janë ndaluar: N.V., (26 vjeç, Bërnjak), M.M., (28, Jarinje), dhe A.M., (36, te Dheu i Bardhë), si dhe M.S., (53, Bërnjak), i cili është polic në pension. 

Petkoviqi gjithashtu akuzoi Kurtin për shtypje politike, duke përmendur rastin e ngritjes së aktakuzës ndaj deputetit të Listës Serbe, Slavko Simiq, të cilin e cilësoi si përpjekje për kriminalizimin e përfaqësuesve të interesave serbe dhe përpjekje për ndalim të Listës Serbe.

Petkoviq theksoi se këto veprime të njëanshme po rrisin tensionet ndëretnike dhe po pengojnë normalizimin e marrëdhënieve në rajon, duke bërë thirrje për reagim të qartë dhe të prerë nga komuniteti ndërkombëtar ndaj ndalimeve dhe përndjekjes së serbëve.

Ministri i Brendshëm në detyrë, Xhelal Sveçla, ka njoftuar sot se Nikola Vujoviqit i është hequr shtetësia e Kosovës pasi duke shërbyer si pjesëtar i forcave policore të Serbisë ka rrezikuar sigurinë kombëtare.

Gjithashtu, më 7 qershor, Serbia ka arrestuar ish-policin Arbnor Spahiu në pikën kufitare me Hungarinë, duke e akuzuar për pjesëmarrje në Banjskë në shtator të vitit 2023. Megjithatë, Policia e Kosovës ka thënë se Spahiu ka dhënë dorëheqje në vitin 2022. Atij i është caktuar masa e paraburgimit. 

KOHA ka dërguar pyetje në Ministrinë e Brendshme dhe Policinë e Kosovës. Posa të ketë përgjigje, artikulli do të përditësohet.