Mediat në Serbi po i kushtojnë vëmendje të madhe raportimit që do të bëjë presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq, të martën para deputetëve të Kuvendit të Serbisë në lidhje me procesin e dialogut Kosovë – Serbi.
Nuk dihet se çfarë tema do të prekë e sa do të zgjasë fjalimi i tij.
Gazeta e pavarur serbe “Danas”, shkruan se për herë të fundit, Vuçiq iu drejtua deputetëve në maj të vitit 2019 dhe fjalimi i tij zgjati gati tri orë.
Atëkohë, Vuçiq kishte ndjellë frikë, kishte gënjyer duke akuzuar shqiptarët e Kosovës pa bazë.
“Është çështje kohe se kur do të sulmohen serbët nga shqiptarët. Në pyetje janë ditët e muajt, pasi ata (shqiptarët v.j.) më nuk mund të durojnë”, pati thënë Vuçiq.
Nuk pati asnjë sulm ndaj serbëve, as në dy vitet e fundit e as shumë vite më herët.
Fjalimi i tij 3-orësh u pat përcjell me duartrokitje të shumta, që ngjajnë në vendet diktatoriale.
Edhe
Pritshmëri të vogla në Kosovë nga takimi Kurti-Vuçiq
Gazeta “Danas”, ndër mediat e vetme të pavarura në Serbi, shkruan se Vuçiqi mund të përsërisë shumëçka nga fjalimi i dy viteve më parë, se “Serbia është në presion”, se “Serbia angazhohet për kompromis”, dhe se “Serbisë i duhet uniteti”.
“Megjithatë, as publiku e as deputetët nuk do të mësojnë detaje nga dialogu, deri ku mund të shkohet, cilat janë synimet e Serbisë, cilat janë vijat e kuqe, pasi këto kur nuk janë definuar”, shkruan gazeta “Danas”.
Vuçiq pak ditë më parë mbajti takimin e parë me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, në kuadër të dialogut Kosovë – Serbi.