Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Senatori Murphy i zhgënjyer me mungesën e progresit në dialogun Kosovë – Serbi

Senatorët amerikanë në takim me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq

Senatori amerikan Chris Murphy ka shprehur zhgënjimin e tij për mungesën e përparimit në dialogun me Kosovës e Serbisë.

Senatorët amerikanë Murphy, Jeanne Shaheen dhe Tom Tilis, gjenden në Beograd ku janë takuar me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Ata pas takimit kanë mbajtur një konferencë për media, gjatë të cilës Murphy ka kritikuar Serbinë se po mbështetet në Kinën për siguri, ndërsa ka shprehur zhgënjimin për mungesën e përparimit në dialog me Kosovën.

“Mendoj se në planin afatgjatë, çdo vend duhet të vendosë nëse është mençuri që sigurinë e vet ta lidhë me Kinën. Nëse Serbia dëshiron të jetë pjesë e Bashkimit Evropian, atëherë nuk është në interesin e saj afatgjatë të zhvillojë marrëdhënie të sigurisë me Kinën”, tha Murphy, raporton televizioni N1.

Sa i përket Kosovës, senatori Murphy, tha se kjo temë ka qenë në agjendë dhe se SHBA-ja është e zhgënjyer që nuk ka progres në zbatimin e marrëveshjeve.

“Është e nevojshme që të dyja palët të jenë në gjendje t’i zbatojnë këto hapa sepse tashmë janë të përshkruara në marrëveshjen fillestare. Mendoj se SHBA-ja duhet të mbetet pjesëmarrëse aktive në këto bisedime. Por, jam i shqetësuar që bisedimet që kemi me Serbinë në lidhje me Ukrainën mund të mbizotërojnë mbi bisedimet shumë të rëndësishme që duhet të vazhdojnë për marrëdhëniet e ardhshme mes Serbisë e Kosovës”, tha Murphy.

Ai ka paralajmëruar se këtë javë do të udhëtojë në Prishtinë, dhe do t’i bëjë presion Qeverisë së Kosovës që të përmbush premtimet lidhur me marrëveshjen, thuhet nga N1.

Senatorët amerikanë po ashtu i kanë bërë thirrje Serbisë që t’i bashkohet pjesës tjetër të Evropës dhe t’i vendosë sanksione Rusisë.

“E kuptojmë se Serbia ka një histori të gjatë kulturore dhe ekonomike me Rusinë. Por ky është momenti ku ka rrezik të madh nëse ne, si komunitet demokratik, nuk dërgojmë një mesazh të bashkuar për pasojat e sjelljes së Rusisë në Ukrainë”, tha senatori Chris Murphy.

E presidenti serb Vuçiq ka falënderuar senatorët amerikanë për mbështetje.

Ai duke folur për rajonin ka thënë se Serbia respekton integritetin territorial të Bosnjë e Hercegovinës, si dhe Republikën Sërpska brenda Bosnjë e Hercegovinës, ka njoftuar Presidenca e Serbisë.

Ai theksoi se për Serbinë është me interes kyç ruajtja e stabilitetit në rajon dhe forcimi i bashkëpunimit në të gjitha fushat, veçanërisht në fushën e ekonomisë, “sepse vetëm një rajon i tillë mundëson zhvillimin e qëndrueshëm të vetë Serbisë”.

Presidenti Vuçiq përmendi si shembull të bashkëpunimit të suksesshëm rajonal, nismën "Ballkani i Hapur", qëllimi i së cilës, siç thuhet në deklaratë, "është zhvillimi i mëtejshëm i rajonit dhe ngritja e standardeve të jetesës për të gjithë qytetarët e tij”, thuhet nga Presidenca e Serbisë.

Artikuj të ngjashëm