Ministri i Jashtëm i Serbisë, Nikola Selakoviq, ka thënë se nëse insistohet se zgjidhja e vetme e çështjes me Kosovën është që Serbia ta njoh Kosovën, atëherë ky qëndrim nuk do të gjejë përgjigjen e dëshiruar në Serbi.
“Kam frikë se zgjidhja ku i kërkohet Serbisë ‘thjeshtë pranoni atë’, tingëllon më tepër si destruktive”, ka thënë Selakoviq në intervistë për “Vecernje Novosti”.
Ai ka folur edhe për kërkesën që presidenti i ri i SHBA-së, Joe Biden, ia ka bërë presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, që ta njoh Kosovën.
“Bideni e njeh mirë këtë pjesë të Evropës dhe problemet e saj me dekada. Sidoqoftë, ato nuk mund të zgjidhen me një lëvizje. Nuk jam nga ata që do të thonë se kemi një pozitë automatikisht të keqe të administratës së re amerikane ndaj nesh. Jam i bindur se me politikën tonë shtetërore, e cila ka treguar këmbëngulje dhe racionalitet të madh, dhe me ambasadorin tonë të ri në Washington, ne do të jemi në gjendje të punojmë shumë më shumë, për të tërhequr bashkëbisedues që do të jenë të gatshëm të dëgjojnë. Ne do të theksojmë, se pavarësisht se sa mirë e njihte dikush situatën në rajon nga periudha e viteve 1990-ta, se ky është viti 2021 dhe se shumë gjëra kanë ndryshuar. Serbia ka ndryshuar dhe me të mund të bisedohet seriozisht. Ajo sillet me durim dhe përgjegjësi në rajon dhe është faktor kryesor në ruajtjen e paqes, stabilitetit politik dhe ekonomik”, ka thënë Selakoviq.
Selakoviq ka folur edhe për takimin e Vuçiqit me presidentin e Francës, Emmanuel Macron. Macron kishte përmendur pas takimit se Vuçiq ka ofruar zgjidhje inovative të çështjes mes Kosovës dhe Serbisë.
Edhe
Selakoviq: Perëndimi do të kërkojë nga Serbia që ta njohë Kosovën që t’i kundërpërgjigjet Putinit
“Gjithmonë ekzistojnë mundësi të tilla, dhe çfarë përmbajnë saktësisht ato nuk flitet në media. Në 13 vitet e mëhershme, vendet e Perëndimit nuk kanë biseduar me ne mbi këtë temë, veçanërisht ato që e kanë njohur pavarësinë e të ashtuquajturës Kosovë. Një numër i tyre besojnë se kjo është çështje që nuk ka për çfarë të flitet, por ka nga ata që thonë se vetëm Serbia duhet ta njohë separatizmin e shqiptarëve të Kosovës dhe se me ketë normalizohet marrëdhënien. Ky nuk është pozicioni ynë dhe ne po luftojmë ndaj kësaj”.
Sa i përket anëtarësimit të Serbisë në BE pa njohjen e Kosovës. Ai ka thënë se nuk është kërkuar nga asnjë akt ndërkombëtar kjo. Ai ka thënë se flitet për normalizim të marrëdhënieve e jo njohje.