Ish-presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, ka vlerësuar se bllokimi i zgjedhjes së kreut të Kuvendit të Kosovës paraqet një situatë të pazakonshme institucionale dhe politike.
Sejdiu ka theksuar se moszgjedhja e kryeparlamentarit edhe pas 21 tentimeve e lë Kuvendin jofunksional, gjë që sipas tij e paralizon jetën parlamentare dhe pengon formimin e qeverisë së re.
“Kjo gjendje po reflekton mungesë të konsensusit politik dhe gatishmërisë për kompromis, duke dëmtuar drejtpërdrejt stabilitetin institucional dhe besimin e qytetarëve në procesin demokratik”, ka shkruar Sejdiu në një postim në Facebook.
Ai ka thënë se pushteti dhe opozita duhet të angazhohen për të arritur një marrëveshje.
“Është nevojë urgjente që pozita dhe opozita të tregojnë maturi politike dhe fleksibilitet, duke u angazhuar në dialog serioz për të arritur një marrëveshje. Bashkëpunimi ndërpartiak është çelës për zhbllokimin e situatës dhe rikthimin e funksionimit normal të institucioneve. Nëse kriza vazhdon, rrezikohet jo vetëm puna e Kuvendit dhe formimi i Qeverisë, por edhe stabiliteti politik në vend. Pasojat mund të përfshijnë: zgjedhje të reja të parakohshme, krizë të besueshmërisë në institucione dhe dëmtim të imazhit ndërkombëtar të Kosovës”, ka shkruar tutje Sejdiu.
“Shoqëria jonë ka nevojë për institucione funksionale dhe për angazhim të përbashkët politik që u përgjigjen pritjeve të qytetarëve për zhvillim, stabilitet dhe përparim demokratik. Vetëm përmes paqes publike, bashkëpunimit dhe mirëkuptimit mund të ndërtojmë një të ardhme të sigurt dhe të qëndrueshme për vendin tonë”, ka shkruar tutje Sejdiu.